Lajme Arkiva – TV Klan 2004

13.3 kilogram heroinë e pastër është bllokuar në orët e para të mëngjesit në Portin e Durrësit. Në serbatorin e makinës tip Volkswagen Polo, forcat antidrogë të komisariatit të portit kanë gjetur të fshehur lëndën narkotike, si dhe kanë vënë nën pranga drejtuesin e mjetit, shtetasin italian Donato Greca.

Tonin Vocaj:- “Në mënyrë të vazhdueshme, ne analizojmë informacionet, të cilat disponojmë për kanalin e trafikut që ekziston përmes portit të Durrësit dhe ky rezultat është shprehur dhe këtu është si rezultat edhe i analizës së këtyre informacioneve dhe i përcaktimit të një taktike të qartë të dyshimit mbi automjetet që kalojnë në portin e Durrësit, por në mënyrë të veçantë është rezultat i punës mjaft profesionale dhe me përkushtim të punonjësve të pikës antidrogë”.

Suksesin e këtij operacioni kryekomisar Vocaj ia atribuojë komisariatit të sapo krijuar në port, si dhe bashkëpunimit të ngushtë me partnerët amerikanë dhe misionit Interforce. Vetëm pak muaj më parë një tjetër shtetas italian, Donato Ditano, anëtari rrjetit kriminal Sacra Corona Unita, u kap nga forcat shqiptare antitrafik, teksa tentonte të kalonte drogë në anën tjetër të Adriatikut./tvklan.al