Në komunën Kashar së shpejti pritet të ketë zgjedhje. Ministria e Brendshme do të nisë procedurat për shkarkimin e kryetarit Alfred Sulaj, ky i fundit i arrestuar në 1 dhjetor të vitit 2007, nën akuzën shpërdorimit të detyrës, falsifikimit të dokumenteve dhe tjetërsim të pronave.

Burime pranë kësaj ministrie konfirmojnë këtë fakt për Klan, duke theksuar se kanë kërkuar nga organi i akuzës të vërë në dispozicion të gjithë dosjen Sulaj. Së bashku me shkarkimin vlen të theksohet fakti se komuna Kashar, vetëm pak km larg Tiranës, ka të paktën 6 muaj që nuk ka kryetar, çështje që duket të ketë prodhuar probleme në funksionimin e disa strukturave të rëndësishme, një prej të cilave KRT e komunës.

“Dhe komisioni i ndarjes së tokës, ku kryetari aty ligjërisht ka tagrin e kryetarit të këtyre 2 organeve. Marrim organin e parë KRT-ja, me të prekur nga mosfunksionimi i këtij organi janë bizneset.”

Situatë kjo që ën pamje të parë duket se e zgjidh ligji, pikërisht kodi i procedurës administrative, neni 34 thotë se në rastet e mungesave, të pamundësive apo të paaftësive fizike, ose për shkak të ndonjë pengese ligjore që haset nga organi administrativ, kryerja e detyrave bëhet nga organi ose personi zëvendësues i përcaktuar me ligj, por që megjithatë nuk ka funksionuar.

“Ligji njeh në mënyrë explicite funksionet e kryetarit që është i zgjedhur dhe funksionet e nënkryetarit që delegohen nga kryetari nuk specifikohen. Mosfunksionimi i të gjithë këtyre organeve që përmenda më sipër tregon që ka cungim të institucionit.”

Problemi i mungesës së kryetarit të komunës duket është transferuar edhe tek banorët e kësaj zone.

Gazetarja: A përbën një shqetësim për ju si banor i Kasharit që nuk ka kryetar komune?

“Patjetër, se nuk zgjidhen hallet e popullit. Nuk kam pasur rast faktikisht, po s’më ka ndodhur mua mund tu ketë ndodhur të tjerëve.”

“Kam qenë vetë, personalisht dhe se kam marrë dot, sepse ai që është i komanduar se jep dot.”

“Pa kryetar këtu nuk të zgjidh kush problem, kryetari është vula.”

Rasti i Kasharit përbën ndoshta precedentin e parë të këtij lloji, ku shteti ndodhet përballë dilemës nëse duhet apo jo të shkarkojë kryetarin nën pranga. Një ngërç që krijohet edhe për shkak të marrjes parasysh të një tjetër aspekti ligjor. Prezumimit të pafajësisë derisa gjykata me vendim të formës së prerë të vërtetojë të kundërtën, por që në të gjitha rastet kushtuar komunës gati 6 muaj, mosfunksionim të plotë të saj./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi