Demokrati Belind Këlliçi shprehet se shumë shpejt do të ketë një tjetër aksion opozitar. Në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Këlliçi ka komentuar dhe protestën e sotme të opozitës për të cilën ka thënë se ka qenë nisja e kapitullit të parë të mosbindjes civile.

Më tej, Këlliçi u shpreh se do të kishte preferuar një reagim më të fortë nga ana e protestuesve pasi ka thënë se dhuna e policisë ndaj tyre ka qenë e pandeshur ndonjëherë.

Belind Këlliçi: Nisi kapitulli i parë i mosbindjes civile. Një protestë që në protestën e radhës do të jetë në përgjigje të Policisë së Shtetit. Për 4 orë, Tirana ka qenë e bllokuar. Pjesa dërrmuese e qytetarëve në solidarizim me protestën. Vizita që i është bërë institucioneve të ndryshme, përfshirë dhe selinë e krimit, mori një përgjigje të lehtë dhe një reagim të lehtë në raport me atë që i ka bërë Rama deri më sot. Nuk jam i kënaqur. Do kisha preferuar, kërkuar, një reagim më të fortë.

Dhuna shtazarake e policisë ndaj protestuesve, e pahasur më parë. Gaz lotsjellës u hodh në parlament pa pasur asnjë incident. Ka pasur qytetarë që kanë dalë nga banesat se janë helmuar. Policia ka goditur me gaz lotsjellës me qindra qytetarë dhe policia sot ka pasur një sjellje shtazarake. Në kapitullin e dytë të mosbindjes civile, përgjigja e opozitës do të jetë propocionale me atë të Policisë së Shtetit. Qytetarët u thirrën në kohë rekord për të nisur mosbindjen, ka qenë një marshim nëpër rrugët e Tiranës.

Blendi Fevziu: Pjesëmarrja ka qenë shumë më e vogël se vitet më parë.

Belind Këlliçi: Protesta është thirrur një kohë rekord dhe nuk është ky fundi i mosbindjes civile dhe protestave të PD-së.

Blendi Fevziu: Nuk bëhej fjalë për mijëra qytetarë…

Belind Këlliçi: Duke qenë në mes të protestuesve, temperatura e reagimit të qytetarëve ka qenë mëse e lartë. Isha në një grup të dytë bashkë me qytetarë e me demokratë të zakonshëm. Kemi qenë të ndarë dhe për shkak të organizimit, kam qenë dhe vijoj të jem pranë qytetarëve. Do të ketë një aksion shumë të shpejtë.


/tvklan.al