Gazetari Arbër Hitaj e vlerësoi me notë pakaluese protestën e kësaj të hëne nga opozita. Në mendimin që ai shprehu në emisionin “Opinion” në Tv Klan, kjo protestë nuk kishte qëllim dhe objektiv, ishte e paorganizuar dhe kaotike. Hitaj tha se PD e ka humbur asetin e saj në organizimin e protestave, ndërsa tha se organizimi i sotëm do të ketë ‘mërzitur’ edhe kryeministrin Rama.

Arbër Hitaj: Nëse do një isha mësues, do jepja një notë, një vlerësim për protestën sot, ajo është 4. Është një protestë që në syrin tim ëështë e dështuar në qëllim, në objektiv, në çdo gjë. Çfarë arriti? Cili ishte objektivi?

Blendi Fevziu: Objektivi nuk vjen me një protestë.

Arbër Hitaj: U tha do të vijmë me një protestë. 

Blendi Fevziu: Tani kush e thotë atë… nuk vjen dot me një protestë.

Arbër Hitaj: Nëse një protestë me 4000 do të detyrojë Edi Ramën që është një super mazhorancë që të largohet dhe të japë qeveri teknike, unë besoj që nuk është rruga e duhur. E treta, ishte gjithë kohës e paorganizuar, ishte kaotike dhe unë besoj e ka pasur dikur PD pikë të fortë organizimin e protestave, fatkeqësisht mendoj që ditën e sotme e ka humbur.

Blendi Fevziu: Këlliçi tha u organizua shumë shpejt, u lajmërua në pak ditë…

Arbër Hitaj: Këto janë justifikime. Nuk pati asnjë gjë të re. Është një kasetë që e kemi parë edhe në protesta të tjera. Madje mund të them edhe një tjetër, vetë Edi Rama është i mërzitur nga kjo protestë. Për mua kjo protestë ka mërzitur edhe PS sepse ishte ngritur opinioni publik…

Blendi Fevziu: Në një nga këto protesta unë mbaj mend që kryetari i PD tha te shkallët e PD që falë protestës tuaj sot Rama s’është më kryeministër, por e ka thënë që para 10 vjetësh, ai prapë kryeministër.

Arbër Hitaj: Sot edhe Edi Rama është i mërzitur me këtë protestë sepse ishte ngritur steka e diskutimit që mund të ishte një 21 janar i dytë.

Hitaj përmbylli duke thënë se pakënaqësia ndaj Partisë Demokratike vjen për shkak të mosqarkullimit të elitave, retorikës dhe individëve të njëjtë duke bërë që të mos ketë asnjë risi, skenar që u pa edhe në protestë./tvklan.al