Këshilli i Ministrave i ka hapur rrugë një serie projektesh të rëndësishme duke miratuar disa kontrata koncesionare.

Kështu qeveria ka miratuar kontratën për dhënien me koncesion të kaskadës së Devollit ku parashikohen të ngrihen tre hidrocentrale, përfshirë këtu edhe ai i Banjës.

Sali Berisha: “Miratojmë kontratën e koncesionit për kaskadën e Devollit, projektit më të madh në Evropë në fushën e energjisë aktualisht. Investimi është i madh, është rreth 1 miliard euro, por shfrytëzimi më racional dhe më afatgjatë i bëhet këtij burimi të madh ujor për vendin”.

Duke folur për një tjetër marrëveshje koncesionare që parashikon vënien në përdorim të 1 mijë hektarëve tokë për mbjelljen e ullinjve, një projekt ky që kryeministri e ka lançuar vetëm pak muaj më parë, e parashikon mbjelljen e rreth 20 milion rrënjëve ullinj në të gjithë vendin.

Berisha ka kërkuar të përfshijë jo pa ironi në këtë projekt edhe kryebashkiakun Rama.

Sali Berisha: “Projekti po ecën dhe do të eci. Unë u them skeptikëve se jo vetëm që do të jenë 20 milion, por të mos çuditen se mund të ndodhë dhe para kohe realizimi i tij. Ftoj dhe kryetarin, ish-kryetarin e Bashkisë së Tiranës, kryetarin me korrespondencë të bashkohet në këtë projekt se ndërkohë që ven dhe i mban fjalime policisë së tij bashkiake për buxhetin më mirë të diskutojë me këshilltarët e forcave politike dhe të gjejë ujdinë, por projekti i ullirit është veçmas. Edhe ai mund të japë një kontribut. Rrëzimi i buxhetit ka krijuar probleme madhore, ligjore dhe morale tek kryetari me korrespondencë i bashkisë, por prapë uroj që buxhetin ta diskutojmë me këshilltarët, përfaqësuesit e zgjedhur se për policët e bashkisë i urdhëron si do. Ishte mbledhur ditën e diel dhe u mbante leksion aty për buxhetin. Çfarë janë ata? Më thanë janë policia bashkiake. Edhe atyre mund t’jua shpjegojë, por nuk e zgjidh dot me ta se votat i kanë të tjerët”.

Por pavarësisht toneve ironike kryeministri Berisha ka përsëritur edhe një herë angazhimin e tij maksimal për të bashkëpunuar me selinë rozë mbi propozimet e bëra nga kryesocialisti për mbarëvajtjen e procesit të pajisjes së shtetasve me dokumente të reja elektronike të identifikimit.

Sali Berisha: “Lidhur me vendimin me propozimet e opozitës, të cilat unë kam shprehur gatishmëri t’i vlerësoj që kërkon heqjen e shtrëngimeve për ata që kanë pasaporta për marrjen e ID cards, unë jam plotësisht dakord të shqyrtohen. Është bërë një raund diskutimesh. Po i presim me shkrim propozimet”.

Një vendim tjetër i rëndësishëm i miratuar nga kabineti qeveritar ishte dhe ai për miratimin e lejes për kompaninë italiane, “Trans-European Energy B.V” për ndërtimin në parkun energjetik në bregdetin e Fierit të gazsjellësit nënujor, projekt ky i bërë publik nga Berisha dhe Berluskoni gjatë vizitës së këtij të fundit në Tiranë.

Po sot me një vendim të posaçëm qeveria i ka dhënë fund prokurimeve publike jo elektronike./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka