Bashkimi Evropian pritet që të vendos çështjen e Urës së Ibrit në agjendën e bisedimeve të procesit të dialogut Kosovë -Serbi.

BE insiston se hapja e urës së Ibrit është çështje e dialogut.

Nabila Massrali, zëdhënëse e BE-së: Si zakonisht, se kur do të mbahet raundi i radhës i dialogut, do të komunikohet me kohë. Kështu që kjo është ajo që mund të them. Në lidhje me çështjen e Urës, siç e dini, kjo është pjesë e dialogut, pavarësisht faktit se qeveria në Kosovë po vepron në të kundërtën. BE-ja planifikon që statusin e urës ta vendosë në agjendë për takimin e radhës.

Përkundër kundërshtimit të faktorit ndërkombëtar qeveria e Kosovës ka prezantuar planet për hapjen e Urës së Ibrit, e cila aktualisht është e hapur për këmbësor, por e mbyllur për qarkullimin e automjeteve.

Ministria e Infrastrukturës tashmë është në pritje të raportit të testimeve të bëra javën e kaluar në lidhje me stabilitetin e urës mbi Ibër.

Edhe KFOR-i që kujdeset për sigurinë mbi këtë urë ka thënë se kjo është çështja e dialogut Kosovë-Serbi.

Tv Klan