Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit Mustafa Kërçuku, raportoi në Kuvend mbi buxhetin faktik të qeverisë për vitin 2003. Sipas tij, ka një rritje në 6% të produktit të brendshëm bruto. Të ardhurat për frymë janë 1984 dollarë, ndërsa deficiti buxhetor është 136.5 miliardë lekë.

Në raportin e KLSH, mosrealizimi në të ardhurat doganore dhe tatimore, vlerësohen 13 miliardë lekë, ku 20% e taksave nuk është vjelë, ndërsa kanë shkaktuar evazion fiskal, 17 milion lekë. Kalimi i limitit të xhiros, nga subjekte të regjistruara si subjekte të vogla dhe ndjekja e praktikave të ndryshme doganore për të njëjtin mall. Buxhetit të shtetit i rezultojnë 4 miliardë lekë humbje nga bilancet e rreme të fundvitit nga 735 subjekte.

Kërçuku deklaroi se ka mosrealizime në zërin e investimeve. Në 886 tendera, janë vërejtur 204 raste shkeljesh e dëm buxhetor 66.4 milion lekë. Puna e zezë ka shtrirje të gjerë territoriale sipas Kërçukut, ndaj vjelja e kontributit është sa në nivele minimale.

Mustafa Kërçuku: “Në 204 raste prej tenderave të kontrolluara, janë konstatuar shkelje të procedurave të prokurimit, duke shkaktuar një dëm ekonomik efektiv të buxhetit të shtetit prej 66.4 milion lekë.”

Për Partinë Demokratike, buxheti faktik është mashtrimi me fakte i kryeministrit Nnao.

Ridvan Bode: “Buxheti faktik i vitit 2003 që sot kemi në dorë, i firmosur nga vetë zoti Nano është një përgënjeshtrim me fakt i mashtrimeve publike të tij dhe qeveritarëve që ai kryeson, që me papërgjegjshmëri, po përsëritet edhe sot, mbi gjoja rritjen e performancës së administratës qeveritare në mbledhjen e tatimeve dhe taksave.”

Deputeti i LSI Dritan Prifti, theksoi se ka mospërputhje shifrash mes materialeve të qeverisë dhe KLD-së për buxhetin faktik 2003.

Dritan Prifti: “Në materialin e ardhur nga qeveria, deficiti thuhet që është 33.9 miliardë lekë, në materialin e KLSH 36.5 miliard lekë. E vetmja shifër që vjen sot në këtë projektligj nga qeveria, që është realizuar është shifra 100% e shpenzimeve korrente, ku t’a dini mirë që këto janë shpenzime për udhëtime jashtë shtetit, për harxhime telefonata celulare, etj, këto qeveria i ka realizuar 100%. Pra unë dua të bëjë pyetjen, kemi një qeveri pune apo një qeveri qejfi?”/tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj