Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Aleatët e vegjël të socialistëve, e kanë paralajmëruar kryesocialistin Nano, se pa ndihmën e tyre nuk mund të përfitojë 84 deputet në parlamentin e ardhshëm. Ndonëse Nano ka përgatitur lojën me kandidatët e pavarur për deputet, aleatët e vegjël duket se do ta bllokojnë këtë lojë në komisionet lokale të votimit. Sipas Melos, Nano nuk ka një strategji të qartë se si do të përfitojë 84 deputetë edhe pse pretendon të shmangë një krizë institucionale, kur të votohet për presidentin e ardhshëm.

Vasil Melo, Kryetar i PBDNJ:- “Ata vetëm një gjë kanë të qartë, që si do që të shkojë bashkëpunimi, duan që ata të sigurojnë një gjë për veten e tyre. Mirëpo marrëveshje të tilla askush nuk i pranon. Koalicioni i opozitës me gjithë vështirësitë nënshkruajti një marrëveshje dhe e kishin të qartë marrëveshjen, se çfarë hapësirash i lejonin njëri-tjetrit, për të ardhur në pushtet. Atëherë duhet që edhe partitë tona duhet të kenë një strategji të qartë për të ruajtur pushtetin”.

Deri tani Nano i ka ofruar Melos, zonë të lirë Delvinën, ndërsa ka joshur me tre zona të lira Pashkon, Imamin dhe Peshkëpinë. Socialdemokratët e Gjinushit pretendojnë se nuk kanë kërkuar zona të lira, por edhe oferta e socialistëve për ta është reduktuar mjaft.

Pavlli Zëri:- “Ne s’kemi kërkuar zona të lira, ne kërkojmë që koalicioni Aleanca për Shtetin të arrijë atë rezultat që pretendon, pra të ketë 84 deputetë”.

Bisedimet mes aleatëve vazhdojnë. Nano paradite ka takuar Pashkon, ndërsa pret përgjigjen përfundimtare të Gjinushit e Melos./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame