Kuvendi iu rikthye normalitetit këtë të enjte pas marrëveshjes PD-PS për ngritjen e dy komisioneve hetimore. Lulzim Basha nga foltorja e parlamentit tha se dëmi më i madh gjatë ditës së sotme është “ai që nuk duket” dhe këtu e kishte fjalën për Kodin e ri Zgjedhor.

Sipas tij, ky kod që duhet të jetë në përfitim të shqiptarëve është “flijimi” më i madh gjatë muajve të denormalizimit. Ai kërkoi që të ngrihet Komisioni i Reformës Zgjedhore të bëjë një reformë për qytetarët dhe jo politikanët.

Zonja dhe zotërinj dëmi më i madh është ai që nuk duket. Ndonëse sot është një ditë e veçantë për atë dëm. Pas një viti vendi do të jetë në fushatë zgjedhore. Kodi Zgjedhor në përfitim të shqiptarëve është sakrifica më e madhe, flijimi më i madh në emër të këtyre 6 muajve denormalizim e normalizim. Sot para se të nisni punimet kam një thirrje, hiqni dorë për një moment nga axhendat tuaja të ngushta partiake, nga axhendat personale dhe jepuni shqiptarëve deri në fund të muajit një Komision të Reformës Zgjedhore me parametrat që kanë qenë gjithmonë dhe me një vendimmarrje mbi propozimet që gjenden aty tash 2 vjet dhe mos përsërisni skandalin e 2008-ës që erdhi pas një tjetër skandali dhe gjëmë. Thirrja ime është para se të procedojmë me këtë rend dite të shprehemi me zë dhe me votë për diçka që çdokush që i dhimbset ky vend, që shqetësohet për fatin e demokracisë, që shqetësohet edhe më shumë për fatin e zgjedhjeve të ardhshme kërkon nga ky parlament, reformë zgjedhore për qytetarët dhe jo për politikanët”, u shpreh Basha./tvklan.al