Kombëtarja shqiptare e femrave ka mbërritur në Oslo në kuadër të ndeshjes së fundit të eliminatoreve të Botërorit 2023 ndaj Norvegjisë. Skuadra e drejtuar nga trajneri Armir Grima ka rinisur përgatitjet pas ndeshjes me Poloninë në “Elbasan Arena” më 1 Shtator, ndërsa grupi ka udhëtuar i plotë drejt Norvegjisë. Pas mbërritjes përfaqësuesja kuqezi ka zhvilluar një seancë stërvitore, ndërsa këtë të martën do të luajë edhe sfidën me Norvegjinë.

Stafi mjekësor është duke mbajtur nën monitorim mesfushoren Qëndresa Krasniqi dhe mbrojtësen Arbenita Curraj, që kanë pasur probleme fizike pas ndeshjes me Poloninë dhe ende nuk është vendosur nëse do të mund të jenë plotësisht të gatshme për këtë ndeshje.  Aktualisht, Shqipëria renditet në vendin e katërt të Grupit F me 10 pikë të grumbulluara në 9 ndeshje, duke lënë poshtë në renditje Kosovën dhe Armeninë, ndërsa grupi kryesohet nga Norvegjia që e ka siguruar kalimin në raundin tjetër.

Klan News