Norvegjia do të jetë kundërshtari i raundit të parë play-off i kombëtares shqiptare të femrave në rrugën drejt Kampionatit Europian. Shorti i hedhur në Nion të Zvicrës dhuroi pikërisht kombëtaren nordike si rival të përfaqësueses sonë që synon të jetë pjesë e grupeve të Europianit Zvicër 2025.

Ndeshjet e raundit të parë të play-off-it do të luhen me sistem vajtje – ardhje në periudhën 23-29 tetor 2024. Shqipëria e vajzave avancoi në raundin e parë të play-off-it pas suksesit të meritur në ndeshjet kualifikuese, ku dominuan në grupin C5.

Nën drejtimin e trajnerit Armir Grima, kuqezezat regjistruan tre fitore dhe një humbje, duke e mbyllur në vendin e parë grupin me 9 pikë në total. Falë këtij suksesi përfaqësuesja shqiptare e vajzave siguroi edhe ngjitjen për në Ligën B në edicionin e radhës të Ligës së Kombeve.

Kombëtarja e femrave njohu edhe rivalen e mundshme për në raundin e dytë të play-off-it. Në rast se Shqipëria kalon me sukses ekipin e Norvegjisë, në raundin e dytë të play-off-it do të përballet me fituesen e çiftit Kroaci – Irlandë e Veriut.

Klan News