Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Gazetarja: Kryekomisar Vocaj, tashmë ka kaluar pjesa më e mirë e procesit të votimit, a keni pasur incidente dhe probleme me zonat e votimit, apo është kërkuar së fundi ndërhyrja e forcave policore?

Tonin Vocaj:- “Gjatë ditës së sotme, duke filluar që nga ora 7 e mëngjesit, kur ka filluar votimi dhe policia në zbatim të ligjit është larguar nga qendrat e votimit, të cilat i ka siguruar gjatë natës, në të gjithë qarkun e Durrësit, që përfshin territorin e rrethit të Durrësit dhe të Krujës, nuk ka pasur incidente të rënda. Vlejnë për t’u evidentuar dy raste, një ka qenë në mëngjes në një nga qendrat e votimit të bashkisë së Sukthit, ku një komisioner i komisionit zonal është konfrontuar me një kandidat të këshillit bashkiak të bashkisë së Sukthit. Ky incident është ndjekur nga policia, kemi dërguar në vend grupin hetimor dhe i kemi marrë kallëzim komisionerit të PD, megjithëse ai nuk ka kërkuar që kjo çështje të ndiqet ligjërisht, ne do ta përcjellim materialin kallëzues në prokurori. I vetmi rast që është evidentuar që është kërkuar ndërhyrja e policisë është kërkuar nga një komision i qendrës së votimit në bashkinë e Durrësit, ku mund të themi në kapërcim të ligjit, kërkesa për ndërhyrjen e policisë është firmosur nga të gjithë anëtarët e komisionit të votimit. Menjëherë pasi policia ka shoqëruar një person që qëndronte në kundërshtim me rregullat në qendrën e votimit dhe nuk i bindej urdhrave, kërkesave të ligjshme të komisionit të votimit, policia është larguar dhe gjatë gjithë ditës procesi ka qenë i qetë. Ne si polici kemi siguruar mirëkuptimin dhe bashkëpunimin me forcat kryesore politike në Durrës. Gjithashtu një ndër drejtimet kryesore të bashkëpunimit të policisë ka qenë bashkëpunimi me komisionet zonale të votimit”.

Gazetarja: Ndërkohë mbetet vetëm një orë nga mbyllja e procesit të votimit, më pas fillon procesi i numërimit nga komisionet dhe transporti i materialeve të votimit. A ka marrë policia të gjitha masat për mbrojtjen e këtyre qendrave të votimit, sidomos në periferi të qytetit të Durrësit dhe më pas transportit të tyre?

Tonin Vocaj:- “Është e vërtetë që ka ngelur dhe rreth 1 orë e gjysmë nga mbyllja e procesit të votimit, pastaj nga komisionet fillon procesi i numërimit të votave. Policia ka marrë masa dhe ka ngritur të gjithë infrastrukturën e nevojshme, për shoqërimin sipas ligjit të të gjithë komisioneve të qendrave të votimit, në komisionet zonale të votimit. Në garantojmë, që prezenca e policisë gjatë shoqërimit do të jetë në përputhje dhe në respektim të ligjit”.

Gazetarja: Ju çfarë udhëzimi i keni dhënë efektivave blu të Durrësit?

Tonin Vocaj:- “Udhëzimi i vetëm ka qenë respektimi dhe zbatimi i kodit zgjedhor, i ligjit për policinë e shtetit dhe i udhëzimit të KQZ”./tvklan.al

Gazetare – Aranita Brahaj