Lajme Arkiva 2003

Edhe në orët e pasdites komisioni hetimor parlamentar anti-Rama diskutoi mbi pretendimin e anëtarëve demokrat se Bashkisë së Tiranës i është shkaktuar një humbje prej më shumë se 200 milionë Lekësh të vjetra.

Kjo shumë i është dhënë shoqatës “Kulturë Media Art” e zonjës Zana Çela drejtoreshë e Teatrit të Operas dhe Baletit për festivalin ë përvitshëm “Marie Kraja”. Pikërisht këtij institucioni dihej ti jepej shuma në fjalë dhe jo shoqatës kanë pretenduar demokratët gjë e cila u kundërshtua ashpër nga krahu tjetër.

Seanca e gjatë e komisionit ka vijuar me një propozim të deputetit socialist Fatmir Xhafa. Ai kërkoi që nga fillimi i javës së ardhshme të vijnë si dëshmitarë në komision persona që pretendojnë se kanë bërë shkelje në institucionet që po hetohen dhe që akuzohen nga opozita se kanë bërë shkelje.

Mund të dëshmojnë edhe inxhinerët e kompanive që kanë bërë zbatimin e projekteve në Bashkinë e Tiranës, apo përfaqësuesit ligjor të organizmave të huaj Jon dhe USAID që në disa raste kanë financuar këto projekte. Kjo nuk pati pëlqimin e demokratëve me argumentin se nuk mund të thirren dëshmitarë ata që sipas tyre janë të pandehur.

Deputeti socialist Erion Braçe paraqiti disa dosje për ndërtimin e rrugëve “Karl Gega”, “Irfan Tomini”, “Kongrgsi i Lushnjes” etj. Dhe gjatë tenderit të cilave ka pasur mungesa të theksuara në dokumentacion.

Rrugët janë drejtuar në kohën kur bashkia drejtohej nga zoti Albert Brojka. Sipas deputetit Braçe edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit ka dijeni për këto dosje të papublikuara më parë.

Për fat të keq në seancën e pasdites anëtarë të komisionit anti-Rama i kushtuan një hapësirë të gjerë replikave personale sa herë që përmendej emri i ndonjërit prej tyre apo i forcave politke që përfaqësojnë.

Ndre Legisi: Mos mendo ti se paske kapur atë pozicionin atje dhe ti mund të bësh si të duash me komisionin, absolutisht jo. Ti do të respektosh ligjin dhe republikën./tvklan.al