Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Këshilli i Rregullimit të Territorit, do të vendosë për zonat informale, për të cilat nuk do të ketë kufizime territoriale. Ky ishte vendimi i komisionit parlamentar të ekonomisë, i cili insistoi për vendosje afatesh në procesin e legalizimit.

Ridvan Bode: “Sa mendoni se do të zgjasë procesi i legalizimit? Na përcaktoni një kalendar të të gjithë procedurave dhe nuk do të thotë që legalizimi do të përfundojë njëherësh në të gjithë Shqipërinë. Se mund të bëhet sipas përcaktimit të parcelave që bëtë ju, mund të bëhet sipas qyteteve, qasjeve etj”.

“Është shumë e vështirë, që t’i vësh kufij një zone ndoshta 10 mijë metër katror, për të bërë një azhurnim, ose përditësim të kësaj zone dhe nga ana tjetër ta kufizosh me një afat në ligj dhe ta krahasosh me një zonë që është 50 hektarë, sepse nuk kërkojnë të njëjtën kohë kryerja e punës për azhurnimin e kësaj sipërfaqe, aq më tepër për kryerjen e zhvillimit urbanistik”.

Komisioni parlamentar i Ekonomisë, propozoi afate që shkojnë maksimalisht deri në dy vjet për procesin e legalizimit. Këto afate, si dhe fatura financiare që pritet të paguajnë banorët e zonave informale, do të diskutohen javën e ardhshme. Gjatë kësaj kohe do të zgjidhen dhe kontradiktat e ligjit të legalizimeve me ligjin e pronave.

Banorët pritet të paguajnë vlerën e truallit sipas tregut aktual, si dhe taksën e legalizimit deri në 4% të vlerës së ndërtimit./tvklan.al