Komisioni parlamentar i ligjeve propozon legalizime të plota të zonave informale dhe kundërshton shembjet e banesave brenda zonave të banuara, ndërkohë që drafti i qeverisë për legalizimin e zonave informale parashikon ligjërim të banesave deri në 500 m2 dhe krijimin e hapësirave të lira për infrastrukturën e zonës.

Artan Lame: “Ai që nuk ka asnjë titull pronësie, nuk ka asnjë titull mbi atë tokë dhe ka zënë mbi 1000 m2, atij deri në 500 m do t’i legalizohen, pjesën tjetër duhet ta lëshojë, duhet ta cedojë. Nuk ka legalizim total, të gjithë jemi koshientë.”

“Këta njerëz t’u njihet e drejta. Ky është procesi i legalizimit, në qoftë se duam të themi legalizim. Këtyre njerëzve t’u njihet, pra të legjitimohet pronësia e tyre mbi objektin dhe truallin përkatës duke gjetur mekanizmat që zgjidhin problemin e ish-pronarëve që është ai zotëria atje, apo të pronarëve të rinj.”

“Qeveria duhet të sjellë një projektligj që të bëjë jo si të dojë me pronat e të tjerëve, jo që të marrë vendime si të dojë për jetën e të tjerëve, e atyre që janë zhvendosur gjatë kësaj periudhe dhe, jo që të përfitojnë nga kjo situatë për të rregulluar ca gjëra të tjera të qeverisë, por duhet të sjellë një projektligj që të jetë në linjën e mbrojtjes së shtetit të së drejtës. Mbroj dhe atë që ka ardhur dhe ka ndërtuar një shtëpi aty, të mbrojë dhe ish-pronarin.”

Komisioni parlamentar i ekonomisë ka rënë dakord në diskutimet e mëparshme për legalizim të kufizuar, madje ka kërkuar që të ligjërohen vetëm ndërtimet për qëllime banimi dhe jo ato për qëllime tregtare. Debati i deputetëve të komisionit të ligjeve u përqëndrua dhe në përplasjen që sjell zbatimi i këtij ligji të ri me të drejtat e pronarëve të ligjshëm të tokës dhe kompetencave të tepërta që, sipas deputetëve, merr përsipër shteti kundrejt të drejtës së pronës. Komisioni i ligjeve në parim vlerëson projektligjin dhe do të vijojë diskutimin derisa projekti të dërgohet në parlament për miratim./tvklan.al