Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Komisioni i medias ka diskutuar rreth projektligjit të ri që ka të bëjë me teknologjinë e transmetimeve numerike tokësore, digjitale. Sipas një letre të KKRT drejtuar anëtarëve të komisionit, ky projektligj nuk duhet të kalojë në seancë plenare pa u diskutuar më parë me shoqatat e mediave elektronike, ekspertë të kësaj fushe e institucioneve të tjera përkatëse.

KKRT shprehet se në ligjin aktual për mediat elektronike përfshihen transmetimet digjitale, por ndryshimet në legjislacionin shqiptar kanë bërë të nevojshme konsulencën e OSBE-së. Në përgjigje të kësaj, një përfaqësues për mediat i OSBE-së në zyrën e Vjenës, me anën e një letre u ofron ndihmë ligjvënësve shqiptarë në përshtatjen e legjislacionit për mediat, me standardet europiane.

Në këtë letër sugjerohet që debati i mundshëm në seancë plenare të mos planifikohet, derisa të gjitha palët e interesuara të shfaqin komentet e tyre, e më pas KKRT të paraqesë propozimet përfundimtare. Kjo letër ka sjellë debat në komisionin e medias, pasi Erion Braçe e quan të pavend ndërhyrjen e OSBE-së.

Erion Braçe: “Këtij burrit që nuk qenka letonez i papunë, por qenka përgjegjës i lartë, kuadri ligjor thotë, për këtë teknologji është në zhvillim e sipër, tani më thuaj çfarë përvoje do na sjellësh ti në?”

Musa Ulqini: “E para e punës unë Erion nuk futem në grupin e njerëzve si puna jote, që tallesh me të gjithë majtas, tallesh dhe me këta përfaqësues të OSBE-së është e drejta jote, unë dhe ti kemi koncepte thellësisht të ndryshme, por unë kërkojë që ti të respektosh etikën. Ne do diskutojmë këtu pa tension, të mos bëhemi karagjoz para mediave dhe është e drejta jote të përdorësh terma si të kesh dëshirë”.

Komisioni vendosi që në javën e ardhshme kjo çështje të diskutohet ndërmjet përfaqësuesve të medias elektronike, KKRT dhe ekspertëve./tvklan.al