Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Pseudo patriot që ushtrojnë filozofit e vjetra, të patriotizmit folklorik, i ka cilësuar kryekomisioneri shqiptar për Paktin e Stabilitetit, Fatos Nano, ata politikanë që u befasuan nga takimi i tij në Athinë me Presidentin Jugosllav Koshtunica.

Fatos Nano, Kryetar i PS:- “Nga ana e mazhorancës që unë drejtoj, janë marrë dhe vazhdojnë të merren masat e duhura, të hidhen hapat e duhura politike dhe qeverisëse, për të krijuar një klimë më të përshtatshme bashkëjetese e bashkëpunimi, midis vendeve të rajonit dhe kjo përfshin edhe Beogardin. Shpesh problemet e Paktit të Stabilitetit, vazhdojnë të shfaqen, të devijojnë në diskutime publike boshe, gjithnjë të mbërthyera pas filozofive të vjetra e patriotizmit folklorik”.

Në mbledhjen e komisionit parlamentar për Paktin e Stabilitetit edhe ish-kryeministri Pandeli Majko, ka thënë fjalën e tij për marrëdhëniet e reja me Serbinë.

Pandeli Majko:- “Përsa i përket disa problematikave të cilat unë i dëgjova me vëmendje, lidhur me momentet e reja për të cilat bëra dhe pyetje, si një fenomen i ri që mund të quhet ndërfutja apo përfshirja e Serbisë me ndryshimin e regjimit nga regjimi i Mollosheviçit në regjimin e Koshtunicës, mendoj dhe vlerësoj, ashtu siç tha dhe zoti Nano, se nuk duhet të ecim me folklorizëm përsa i përket komunikimit me të gjithë faktorët e rajonit. Pavarësisht se unë i përkas bindjes time që Shqipëria, shumë shpejt është futur në një proces rajonal, ku nuk do të ketë fqinj të vetin më Serbinë. Gjithsesi unë mendoj që ky komunikim është i domosdoshëm”./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame