Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Prishja e aparatit të kobalto-terapisë mund të sjellë pasoja fatale për pacientët që kanë të domosdoshëm kurimin me anë të rrezeve. Është Komiteti Shqiptar i Helsinkit, ai që ka shprehur shqetësimin e tij, për këtë pakujdesi, apo shpërfillje ndaj jetës së njerëzve. Mjekimi i tyre është kompleks, ai bëhet kimioterapi e ilaçe. E kur nuk bëhet në kohën e duhur, gjendja përkeqësohet.

Kjo ka ndodhur tek një numër pacientësh, shprehen përfaqësuesit e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, që kanë vizituar ambientet. Komiteti denoncon gjendjen e krijuar dhe mendon se ky problem shton përgjegjësinë e qeverisë. Ajo duhet të veprojë urgjentisht për pajisjen me aparat të ri. Ndërkohë specialistë dhe inxhinierë, janë duke punuar në aparatin e prishur, por ende nuk mund të përcaktohet defekti e ndreqja e tij.

Inxhinieri:- “Mesa duket gjendja nuk mund të japi ndonjë afat ose gjë konkrete, për kohën kur aparati do të jetë i riparuar dhe nëse do të mund ta riparojmë, ose jo. Është defekt i rëndë dhe nuk kemi konkluduar akoma”.

Pacientët s’kanë reshtur së prituri në radhë, apo marrin përgjigjen nga të afërmit e tyre këtu, por edhe duke marrë numrin e telefonit të doktorëve për të mos u shkuar rruga bosh. Shpresat janë varur tek aparati, që ministri Xhani premtoi të blejë së shpejti./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti