Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Menaxhimi i burgjeve shqiptare, si dhe të drejtat dhe detyrimet e të dënuarve, si dy nga problemet më të mprehta të drejtësisë në vend, u trajtuan gjatë seminarit tre ditor trajnimi, në mjediset e drejtorisë së burgut të Rrogozhinës.

Ky seminar i organizuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit me pjesëmarrjen e veçantë të ekspertëve me përvojë dhjetëra vjeçare në drejtimin e burgjeve, kishte si qëllim shkëmbimin e eksperiencës së vendeve nordike në menaxhimin e burgjeve tona. Projekti pilot është përqendruar në burgun e Rrogozhinës dhe të Peqinit, si dy ndër më të rinjtë e vendit. Madje sipas drejtorit të kombanduar të burgut në Rrogozhinë Beqir Metani, mjediset e burgut janë në punim e sipër, për zgjerimin e kapacitetit të tij.

Burgu i Rrogozhinës që i përket një sigurie normale, ndryshe nga ai i Peqinit në të cilën vuajnë dënimin edhe persona që paraqesin rrezikshmëri të lartë, aktualisht ka një kapacitet prej 350 të burgosur, numër ky që pritet të rritet deri në 500 me përfundimin e punimeve./tvklan.al