Shërbimi stomatologjik shqiptar është i mangët dhe ka nevojë të fuqizohet, kështu deklaroi ministrja e shëndetësisë Anila Godo gjatë Konferencës së 14 Kombëtare të Stomatologjisë.

Godo theksoi se ky sektor nuk ka patur vëmendjen e duhur, ndaj kërkoi bashkëpunimin e specialistëve të kësaj fushe për të arritur standardizimin e stomatologjisë.

Anila Godo: “Konferenca të tilla të finalizoheshin me një akt të shkruar të depozituar pranë ministrisë së Shëndetësisë dhe pranë të gjitha strukturave të tjera rajonale, për të vënë qartë në dukje një shërbim të mangët që duhet fuqizuar, apo një shërbim të munguar që i ka ardhur koha apo i ka kaluar koha dhe që duhet implementuar me urgjencë.”

Një nga problemet më shqetësues të stomatologjisë mbeten klinikat e pa licencuara, si dhe ato që nuk përmbushin standardet.

Dine Abazaj: “Brenda këtij shërbimi ka akoma kabinete të pakontrolluara. Mbase mund të ketë kabinete edhe të pa licencuara. Është një problem shumë i rëndësishëm identifikimi i këtyre kabineteve dhe gjithashtu kontrolli i atyre që janë të identifikuara për të qenë në kabinete brenda standardeve që kërkohet për ushtrimin e profesionit. Ka shumë që vuajnë nga mungesa e standardeve, nga mungesa e kontrollit.”

Nga përfaqësues të shoqatës stomatologjike u vu në dukje fakti se ky shërbim nuk ka një strategji kombëtare mbi bazë të së cilës të punohet./tvklan.alGazetare: Brunilda Cami