Statusi civil, mosha, punësimi si dhe feja ndikojnë në prevalencën e hipertensionit arterial, i cili është një nga shkaktarët kryesor të sëmundjeve kardiake.

Kështu rezulton nga studimi i kryer nga një grup mjekësh kardiologë tek personat e prekur nga sëmundjet koronare, në të cilin gjithashtu nënvizohet fakti i rritjes së numrit të prekurve nga hipertensioni arterial.

E veçanta e këtij studimi në fakt është studimi i statusit civil në rritjen e të prekurve nga kjo sëmundje. Vërehet se prevalenca e lartë e hipertensionit tek të divorcuarit arrin në 66.9%, ndërsa tek beqarët është 33%.

Tek të punësuarit kjo vlerë është më e lartë se tek të papunët, apo tek njerëzit me ngjyrë më e lartë se tek të bardhët. Mosha e feja ndikojnë gjithashtu.

Artan Goda: “Hipertensioni tek pacientët me sëmundje koronare ishte më i lartë tek të divorcuarit dhe më i ulët tek beqarët. Nga ana tjetër nëse ishte i pa punë ishte më i lumtur në këtë drejtim, më pak hipertension në këtë kategori. U vu re se kishte një prirje tek pacientët me sëmundje koronare për hipertension më shumë tek myslimanët, ortodoksët me një rënie të kësaj tek katolikët dhe ateistët.”

Këto të dhëna u publikuan nga mjekët kardiologë gjatë kursit të edukimit në hipertensionin arterial, riskun kardiovaskular dhe insuficiencën kardiake, të organizuar nga disa shoqata për mjekët e familjes, mjekët e përgjithshëm dhe specialistët e shërbimit ambulator.

Ky kurs u përshëndet edhe nga ministrja e shëndetësisë Anila Godo, e cila vuri theksin tek kreditet që duhet të kenë kurse të tilla. Duke dhënë edhe lajmin se tashmë në Tiranë është çelur shkolla e edukimit të vazhdueshëm për mjekët.

Anila Godo: “Një iniciativë të koopreciaonit zviceran dhe mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështetet financiarisht nga ministria e Shëndetësisë. Tashmë në Tiranë funksionon shkolla e edukimit të vazhdueshëm, një shkollë nacionale e cila do të bashkëpunojë me të tëra shoqatat në mënyrë që çdo kurs të ketë kreditet përkatëse, të ketë një lloj çmimi dhe mendoj që kreditet e këtij kursi vërtetë janë të një niveli të lartë.”

Hipertensioni mbetet aktualisht sëmundja më e përhapur në botë, duke prek rreth 1.5 miliard njerëz në tërësi./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami