Konfliktet politike mes vendeve jo gjithmonë kanë pasoja negative. Ata që përfitojnë në të tilla raste janë të tretët.

Përplasja më e fundit mes Greqisë dhe Maqedonisë ka bërë që turistët maqedonas të zgjedhin bregdetin shqiptar për të pushuar duke hequr dorë nga resortet greke që i frekuentonin prej vitesh.

Vlora është një prej destinacioneve më të mbipopulluara nga maqedonasit, shumica e të cilëve shprehen të kënaqur me atë çka kanë zbuluar.

“Kemi shtatë ditë në Vlorë. Plazhi është i mirë dhe nuk na ka kushtuar shumë.”

“Vijmë nga Shkupi. Jemi prej pesë ditësh këtu dhe na duket këndshëm”.

“E frekuentojmë Vlorën prej 12 vjetësh. Koha është e mirë dhe gjithçka ok”.

Lajmi i mirë është gjithsesi fakti se turistët nga Maqedonia do t’i rikthehen Vlorës dhe bregdetit shqiptar.

“Dy vitet e fundit kemi qenë në Mal të Zi, sivjet në Vlorë. Mendojmë të vijmë dhe vitin tjetër”.

“Po, do vijmë sërish. Plazhi është shumë i mirë, sidomos për fëmijët”.

Sipas të dhënave nga agjencitë turistike numri i pushuesve të ardhur nga Maqedonia këtë vit ka shënuar një rekord shifrash krahasuar me vitet e tjera./tvklan.al