Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Të rinjtë eurosocialist kanë pranuar dorëheqjen e kryetarit të tyre Ilir Meta. Delegatët e Kongresit të 4 të FRESH, do të zgjedhin në këto dy ditë drejtuesit e rinj. Në fjalën e tij kryeministri Ilir Meta tha, se formimin si politikan ia dedikon në radhë të parë FRESH-it. Ai porositi të rinjtë të mos e kërkojnë pasurinë tek droga e trafiqet, por tek edukimi në shkollë e familje. Dita e largimit nga drejtimi i FRESH-it ka përkuar me 32-vjetorin e lindjes së kryeministrit Ilir Meta.

Kryeministri Ilir Meta:- “Të nderuar delegatë, 4 ditë më parë erdhi në Shqipëri ish-kancelari i Austrisë, zoti Vranicki.  Ardhja e tij na kujtoi pranverën e 4 viteve më parë ku vendi ishte i zhytur në kaos, anarki e destabilizim të plotë. Ndërsa tani Vranicki erdhi për të nxitur investimet e huaja në Shqipëri. Kjo përmban një domethënie të madhe, atë të ndryshimit rrënjësor të Shqipërisë së vitit 2001 nga ajo e vitit 1997. Tani kemi arritur jo vetëm ta bëjmë Shqipërinë një faktor aktiv në iniciativat e Paktit të Stabilitetit, apo bashkëpunimit të Europës Juglindore, por edhe të jemi më pranë hapjes së negociatave në BE për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit”.

Bashkëmoshatarët eurosocialistë i ka përshëndetur edhe kryesocialisti Fatos Nano. Ai përmendi rezultatet e mazhorancës socialiste, në edukimin e brezit të ri dhe në lirinë e medias. Në lidhje me situatën në Maqedoni, Nano tha, se duhen nxitur ndryshimet kushtetuese, që të shuhen konfliktet.

Fatos Nano, Kryetar i PS:- “E ardhmja është këtu, e ardhmja është sot, e ardhmja jeni ju, që po kontribuoni edhe në drejtimin e qeverisë, nëpërmjet shokut tonë Ilir Meta. Në qendër të programit tonë elektoral dhe ekzekutiv, do të kemi së bashku zgjidhjen e problemeve të integrimit të mëtejshëm të rinisë në jetën politike, sociale dhe ekonomike të vendit”.

Pas fjalës së kryesocialistit Nano vijuan diskutimet e delegatëve të Kongresit të 4 të FRESH. Nesër do të shpallet rezultati i votimit për drejtuesit e rinj të këtij votimi./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame