Prishtina zyrtare ngre dyshime nëse personi i vrarë nga forcat speciale të Serbisë, si i dyshuar për vrasjen e një polici dhe plagosjen e një tjetri mund të mos jetë Faton Hajrizi.

Qëndrimi erdhi nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila dënon vrasjen e policit serb, por i cilëson si të papranueshme qëndrimet e ministrit serb Ivica Daçiç, duke aluduar se ishte i parapërgatitur.

“Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç, dha lajmin se i arratisuri nga burgu në Kosovë, Faton Hajrizi, i dënuar për disa vepra të rënda kriminale, është vrarë. Informacionet këto ditë ishin paradoksale, ndaj nuk mund ta dimë me siguri, se a është ai me të vërtetë i vrarë dhe nëse po, a është vrarë në territorin e Serbisë apo të Republikës Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, përfshirë detajet e tjera të rëndësishme e të nevojshme për hetim?”

Haxhiu ka akuzuar Serbinë se ka organizuar arratisjen e disa të burgosurve për ta dëmtuar rendin publik të Kosovës.

“Informacionet e organeve tona informojnë që së paku në disa raste, këto arratisje janë nxitur, organizuar, bashkëorganizuar e lehtësuar nga grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë. Një mbështetje e tillë është padyshim e qëllimshme, e organizuar dhe e lidhur me qëllimin për të dëmtuar rendin publik, kushtetues e ligjor të Republikës së Kosovës.”

Ministria e Brendshme serbe ka deklaruar se autori i ngjarjes së vrasjes së policit është Faton Hajrizi, i cili u vra të premten, teksa po përpiqej të kalonte kufirin nga Serbia drejt Bosnjes. Aktin e cilësoi si terrorist.

Tv Klan