Mesnatën e së martës edhe zyrtarisht Trupat e Mbrojtjes së Kosovës do të përfundojnë misionin e tyre të nisur 10 vjet më parë në verën e vitit 1999. Kjo trupë nga e mërkura do të zëvendësohet nga pjesëtarët e Forcës së Sigurisë të Kosovës. Në një ceremoni të mbajtur sot në nder të TMK-së, presidenti i republikës Fatmir Sejdiu, lavdëroi punën 10-vjeçare të kësaj trupe derisa i dha komandantit të TMK-së Sylejman Selimit, medaljen e artë ushtarake.

Fatmir Sejdiu: “Kemi përfundimin e një misioni në mënyrë më të shkëlqyeshme të mundshme dhe fillimin e një misioni të ri që starton me nesër të Forcës së Sigurisë të Kosovës që do të jetë mburojë e vendit bashkë me miqtë tanë sikurse ju ishit mburojë e rëndësishme në këtë periudhë të zhvillimeve tona”.

Gjeneral Sylejman Selimi, ndërkaq tha se TMK-ja u tregua e suksesshme pasi që pjesëtarët e saj besuan në misionin e shenjtë që morën verën e vitit ’99 disa javë pas përfundimit të luftës.

Sylejman Selimi: “Fjala e sotme para jush është një ndër momentet më emocionuese të karrierës sime. Është një moment ku edhe zyrtarisht po e deaktivizojmë TMK-n me çka po e përfundojmë një mision shumë të rëndësishëm të zhvillimit dhe të ndërtimit të shtetit të Kosovës. mund të thuhet se TMK-ja arriti që me punën e vet të çmuar dhe të pranuar nga të gjithë të shndërrohet në model i një institucioni që gëzon të pa reshtur besimin dhe përkrahjen e qytetarëve të vendit”.

Shumica e pjesëtarëve të TMK-së pasardhëse direkte e UÇK-së pritet të pensionohen derisa një pjesë e tyre do të zërë vend në forcën e tyre të Kosovës./tvklan.al

Gazetar: Leonard Kërquki