Data 12 Qershor është ditë historike për Kosovën pasi kjo datë shënon përfundimin  e luftës dhe çlirimin e shtetit nga pushtuesit serb. Mbushen plot 24 vjet që nga përfundimi i luftës ku iu dha fund masakrave dhe gjenocidit serb mbi qytetarët e pafajshëm të Kosovës. Çlirimi i Kosovës shënoi një kthesë historike në zhvillimit dhe shtet-formimin e vendit.

Në një intervistë në Klan News me gazetarin Besard Jacaj, ishte ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu. Në fjalën e tij ai u kthye pas në histori duke kujtuar me dhimbje ditët më të errëta për popullin e Kosovës. Sejdiu nuk la pa përmendur Rezolutën duke e cilësuar si një pikë kyçe që shërbeu për vendosjen e kufijve të Kosovës dhe për shtet-formimin e saj.

Ish-presidenti të shkuarën e paralelizoi me kushtet aktuale në të cilat ndodhet Kosova. Ai tha se pavarësisht vështirësive duhet të bëhen shumë përpjekje që të arrijmë të kemi një shtet të drejtë dhe demokratik që synon të jetë vend anëtar i BE-së.

Fatmir Sejdiu, ish-President i Kosovës: Megjithatë vështirësitë që kemi dhe mund të kemi, janë sfida të vazhdueshme për Kosovën si një shtet i ri në kuadër të vendeve të Ballkanit Perëndimor apo të Evropës Juglindore. Kosova ka bërë hapa të jashtëzakonshëm, hapa gjigande mund të them në mundësitë e veta dhe natyrisht në këtë kohë deri tani në mënyrë efektive ka mbajtur miqësinë e ndërtuar në fazat e mëhershme. Përkatësisht në fazat që kanë filluar lirisht prej periudhës të kërcënimeve të para dhe në zhvillimet e më vonshme, me vizitat e presidentit Rugova atje, pastaj pritja e shumë delegacioneve, pastaj premtimet e shumë senatorëve dhe kongresmenëve që kanë ardhur në Prishtinë dhe Pavarësia që kemi qenë thjesht pjesëmarrës në një konsulentë të vazhdueshme dhe të një mbështetjeje të padilemë dhe të pa hezitim, deri në momentin kur ka ardhur akti final i 17 Shkurtit të vitit 2008.

Mirëpo është shumë  e rëndësishme që në këtë ecje që ne kemi. Duke marrë shembullin e buxhetit i cili është startuar diku me 600 milionë dhe ka shkuar tani në 3 miliardë e më shumë. Të hyrat e të ardhurave të bollshme që mund të bëhen karshi telasheve që ne kemi, unë mendoj se ka për të dëshiruar shumë edhe në segmente të caktuara. Posaçërisht në segmente të ekonomisë, në arsim, në shëndetësi dhe po ashtu është tepër e rëndësishme të ketë një sistem edhe më efikas në mbrojtjen kundër krimit të organizuar apo të veprimtarisë kriminale që e kemi. Çështja e korrupsionit, pastaj çështja e tregtisë së errët që bëhet.

Fatmir Sejdiu kujtoi edhe sulmin e Banjkës më 24 Shtator duke e cilësuar atë si një veprim kriminal të favorizuar nga instrumentet shtetërore të Serbisë. Ai bëri apel shtetit të tij që të mbajë një partnerit të fortë me vendet aleate dhe demokratike për ecura para dhe për t’u zhvilluar. Gjithashtu ai theksoi se hendegjet mes pozitës dhe opozitës duhet të zvogëlohen për të patur një funksionim më të mirë të politikës së brendshme të Kosovës.

“Sulmi i 24 Shtatorit në Banjskës nuk është sulmi i një personi, i Milan Radoičić, por është një organizim ushtarak i të gjitha strukturave që Serbia i ka i nxitur paralelisht dhe i ndihmuar nga faktorë të politikës, në kuptimin e krijimit të opinionit të Kishës Ortodokse,e  them pa referencë të nënçmimit të besimit të njerëzve, të njerëzve që janë besimtarë. Si i tillë ka qenë një test. Një test për të provuar se  cilat mund të jenë hapat e më tejshëm kjo është në përputhje të drejtpërdrejtë me projektin që Serbia ka patur në memorandumin e dytë. Dhe që ka patur në mësimet e Dobrica Qosiqi që konsiderohet baba dhe ideolog i nacional-shevenizmit serb. Ai lë porositë e veta sepse në një moment pas disa vitesh të rikthehet Kosova dhe pjesë të saj nën tutelën e Serbisë, sepse kjo është tokë e shenjtë e Serbisë.

Kjo është një iluzion, Kosova nuk mund të kthehet atje. Për Kosovën është shumë e rëndësishme që të ketë një dialog të brendshëm të suksesshëm dhe të nevojshëm. Për arsye se ka një mos unitet të shprehur ndonjëherë mes pozitës dhe opozitës, jo vetëm në rolin që kanë këto si faktorë. Mendoj se është e rëndësishme që Kosova të mbajë një partneritet jashtëzakonisht të fuqishëm, të ngjeshur dhe të sinqertë me Perëndimin. Nëse këto nuk mbahen praktikisht ne rrezikojmë ecjen e më tejshme dhe rrezikojmë pastaj të mbetemi vetëm anash, krahas zhvillimeve që bëhen në rendin e ri botëror,”  përfundoi ish-presidenti Fatmir Sejdiu.

/tvklan.al