Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Havier Solana vizitoi sot për disa orë Kosovën për herë të fundit në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Natos. Axhenda e tij ka qenë mjaft e ngjeshur kur ka patur takime me drejtuesit civil ndërkombëtar, përfaqësues të shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës. Gjatë këtyre bisedimeve vëmendja është përqëndruar tek situata aktuale, çështjet e sigurisë dhe rindërtimit të krahinës së shkatërruar nga lufta.

Sekretari Solana u ka bërë thirrje serbëve dhe nacionaliteteve të tjera që ata të inkuadrohen në Trupat e Kosovës, në dobi të paqes dhe stabilitetit. Pas mesditës Havier Solana i shoqëruar nga komandanti i përgjithshëm i KFOR Majkëll Xhekson, ka shkuar në afërsi të Petrovacit ku është takuar me Komandantin Suprem të Natos për Europën, Gjeneralin Uesli Klark.

Sipas shtypit Kosovar të dielën janë vrarë dy shqiptar një në Mitrovicë dhe një në Prishtinë. Ndërkohë pritet që brenda kësaj jave Hashim Thaçi të shpall krijimin e formacionit të tij politik PDK./tvklan.al