Opozita në Kosovë është e vendosur që të çojë përpara nismën e saj për ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar për hetimin e të gjithë tenderave të dhënë përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit, njohur ndryshe si kontratat njëburimore.

Teksa mazhoranca ka refuzuar deri më tani të miratojë një komision të tillë, nënkryetarja e LDK-së Hykmete Bajrami thotë se për të arritur këtë qëllim do të ndiqen të gjitha hapat e nevojshme.

“Ne natyrisht e kemi edhe një opsion tjetër dhe ai mbetet themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar përmes mbledhjes 40 nënshkrimeve. Jam e sigurt që së shpejti do të procedojmë edhe me atë, mirëpo si asnjëherë më parë në historinë e Kuvendit të Kosovës kemi, si të themi, një sabotim të punës së Komisioneve Hetimore”.

Ndërkohë deputeti opozitar Hajdar Beqa thotë se fakti që mazhoranca nuk përkrahu rezolutën që parasheh edhe ngritjen e këtij komisioni hetimor, tregon se partia në pushtet ka shumë për të fshehur.

“Nuk e di pse po fshihen. Ne kur flasim për kontrata njëburimore është alarmante numri i tyre, është alarmante vlera të cilat po lidhen kontrata. Duhet që të reflektojë mazhoranca që sa më shpejt të krijohet Komisioni Hetimor dhe këto kontrata një burimore të dalin në pah sepse nuk e di pse ka nevoje qeveria aktuale të fshehë keqpërdorime e buxhetit. Nëse fshehen, po e amnistojnë hajninë”.

Partitë opozitare pretendojnë se janë rreth 780 kontrata njëburimore të lidhura nga institucionet shtetërore me një vlerë mbi 200 milionë Euro.

Tv Klan