“Dialogu për Bujqësinë” i kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama me banorët e Bilishtit në Korçë është përqendruar  në problemet që po has fshati shqiptar sot. Në fjalën e tij kreu i selisë rozë theksoi, se mungesa e tregjeve për produktet bujqësore, çmimi i lartë i karburanteve dhe norma e lartë  e TVSh-së, janë kthyer në një barrë të rëndë për jetën e fermerëve.

Edi Rama: “Doni të vazhdoni të jeni plaçka e tregut të tyre. Doni të vazhdoni të qëndroni të ndarë me njëri-tjetrin, ta shikoni njëri-tjetrin si armiq këtu, kur të dy palët jeni pa drita, jeni pa ujë, jeni pa punë, jeni pa farë, jeni pa pleh, jeni pa treg. Çfarë ju ndan juve? Çfarë e ndan fshatarin socialist nga fshatari demokrat.”

Rama ka bërë apel për bashkimin e të gjithë shqiptarëve, duke bërë përgjegjës kryeministrin Berisha dhe qeverinë e tij për gjendjen e krijuar.

Edi Rama: “4 vjet të tjera me Sali Berishën janë realisht një rrënim e ekonomisë familjare të çdo shqiptari që jeton me punë të ndershme, qoftë socialistë, qoftë demokratë, prandaj çdo shqiptar që jeton me punë të ndershme duhet të bashkohet  për të larguar këtë të keqe të madhe, që është qeverisja e politikës së vjetër Sali Berisha.”

Ndryshimi i shumëpritur prej 18 vitesh po troket tha Rama dhe këtë do ta sjellë bashkimi i të gjithë shqiptarëve në përpjekje për t’i dhënë fund tranzicionit të tejzgjatur./tvklan.al

Gazetare: Daniela Zisi