Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Rikthehen aktet kriminale në qytetet e jugut. Në Gjirokastër në fshatin Kordhocë në rrugën kombëtare ndodh një incident mes një grupi të armatosur nga fshati Lazarat dhe një tregtari të njohur nga Tepelena. Mes dy palëve janë shkëmbyer breshëri armësh ndërkohë që automjeti i tregtarit tepelenas, ka pësuar dëmtime të konsiderueshme, ndonëse nuk ka pasur dëmtime njerëzore.

Po dje maskat e armatosura kanë grabitur autobuzin e linjës Zagori – Gjirokastër, duke terrorrizuar pasagjerët dhe duke i grabitur ata deri në bizhuteritë personale.

Ndërsa në Sarandë mësohet të ketë ndodhur vrasja e një të riu 27-vjeçar i cili është goditur me një granatë dhe ka gjetur vdekjen menjëherë. Vrasja ka ndodhur në afërsi të spitalit të qytetit për motive të dobta.

Drejtuesit e policisë në këto qytete jugore vërejnë se elementët kriminal duke përfituar nga situata e krijuar në vend kanë filluar të rishfaqen. Kjo gjë ndodh edhe për faktin se tashmë është i konsiderueshëm numri i personave të përfolur si autor ngjarjesh por që nuk janë ndëshkuar nga drejtësia./tvklan.al

Gazetar – Aleksandër Çipa