Rreth katër mijë të ardhur nga Kosova janë vendosur në rrethin e Kurbinit, pjesa dërrmuese në qytetin e Laçit. Personeli mjekësor i këtij qyteti apelon për ndihmesë me medikamente nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe organizmat e tjera humanitare. Deri tani kanë kontribuar Kisha Katolike dhe disa shoqata të tjera.

Njëra nga punonjëset e këtij spitali shprehet: Për këto kushte me emergjente që kanë shumë probleme ne kemi krijuar këtë dhomë të vogël vizitash me një ndihmë shumë të vogël që na është dhënë nga Kisha Katolike e qytetit të Laçit dhe nga spitali jonë i qytetit. Duhet theksuar dhe ne kërkojmë gjithmonë nga Qeveria, nga Pushteti që të na shtohen disa medikamente në mënyrë që këto të ardhur kosovarë ashtu siç po i ndihmojmë me ushqime e veshmbathje, t’i ndihmojmë edhe me medikamente që për jetën e tyre janë shumë të domosdoshme.

Sipas mjekëve në këtë qytet deri më tani mungojnë sëmundjet infeksionale si dhe shfaqjet e epidemie. Mungesa e kushteve e rrit numrin e të sëmurëve përditë vecanerisht numrin e fëmijëve e të moshuarve.

Shirat e ditëve të fundit në kampet e teëardhurve në rrethin e Durrësit kanë shkaktuar kushte të vështira. Balta dhe lagështira e bën të pamundur jetesën duke i detyruar shumë prej tyre të largohen. Madje ata kanë fjetur dhe jashtë nëpër rrugët e qytetit ku numërohen rreth 400 familje.

Në qytetin e Shkodrës kanë mbërritur disa dhjetëra të ardhur të tjerë nga Kosova të cilët kanë hyrë në Shqipëri përmes pikës së Hanit të Hotit nga Mali i zi si dhe nga disa pika të tjera kufitare me këtë shtet. Gjatë tre ditëve të fundit regjistrohen rreth 650 të ardhur ndërkohë që janë sistemuar në Pallatin e Sportit të qytetit ku numri i të vendosurve ka kapërcyer shifrën e rreth një mijë personave./tvklan.al

Gazetar: Aleksandër Çipa