Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Nis rikonstruktimi i shkollës 8-vjeçare “Selita e Vogël”. Rindërtimi i kësaj shkolle do të bëhet me fondet e qeverisë italiane në kuadër të projektit “Albi 2000”, në të cilin përfshihet rikonstruktimi i 11 shkollave 8-vjeçare në të gjithë vendin. Në përurimin e fillimit të punimeve morën pjesë kryebashkiaku Edi Rama, ambasadori italian në Tiranë Atilio Massimo Iannucci dhe deputetja e zonës Ermelinda Meksi.

Edi Rama:- “Në vazhdën e punës të sapo filluar për rindërtimin e plotë të sistemit të infrastrukturës para universitare është edhe fillimi i punës në këtë shkollë, e cila siç e shikoni ka qenë në një gjendje katastrofale. Në një kohë të shkurtër do të kthehet në standarde europiane, falë edhe mbështetjes së qeverisë italiane dhe Ministrisë së Arsimit”.

Fondi prej 151 mijë eurosh parashikon rikonstruktimin total, si dhe shtesë të ambienteve të shkollës.

Po gjatë ditës së sotme, kryebashkiaku Edi Rama ka marrë pjesë në përurimin e fushave të sapo rikonstruktuara të kompleksit të tenisit të klubit sportiv Tirana. Rikonstruktimi i tyre ka kushtuar 12 milion lekë të reja dhe ka ardhur si bashkëpunim i bashkisë së Tiranës dhe Federatës Shqiptarë të Tenisit./tvklan.al

Gazetare – Elja Zotka