Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Pas shpërthimit të djeshëm të një magazine bojërash e cila ndodhej shumë pranë një pike karburanti, ka reaguar sot bashkia e Tiranës. Sipas kryebashkiakut Rama, shpërthimi i djeshëm mund të shkaktonte një dramë me përmasa tragjike.

Edi Rama: “Nuk dua të bëhem Kasandra e këtij qyteti, por vazhdojë të përsërisë, që ne jemi të ekspozuar karshi disa rreziqesh. Dje patëm një skenë tjetër paralajmërimi, për një ngjarje të rëndë, e cila falë zotit nuk ndodhi, por falë shtetit mund të kishte ndodhur pa më të voglën pengesë”.

Sipas Ramës, policia bashkiake nuk është e fuqishme për të vepruar për heqjen e karburanteve pa leje, pa ndihmën e Policisë Ndërtimore dhe Inspektoratit të Karburanteve dhe Gazit.

Edi Rama: “Këto inspektorate i keni parë vetë të shkoni, të kontaktoni dhe i keni parë vetë si operojnë, në mënyrë qesharake me aksione spontane, vërsulen një ditë, flasin për gjoba marramendëse, bëjnë bllokime marramendëse dhe ditën tjetër gjithçka si me magji kthehet në vend”.

Rama kërkoi që të përgatitet një amendament, i cili të detyrojë të gjithë pikat e karburanteve që të sigurohen pranë kompanive të sigurimeve.

Edi Rama: “Kush do ta mbante përgjegjësinë në rast se zjarri i djeshëm do të kthehej në bombë dhe pas përgjegjësisë kush do të dëmshpërblente për humbjet ata që do të mbijetonin? Askush, sepse në këtë rast në një shtet normal dhe modern, nuk është shteti që duhet të dëmshpërblejë, por është kompania përkatëse e sigurimit, por që kompania të dëmshpërblejë duhet të ketë shtet që ta çojë kompania e sigurimit nëpërmjet nj ligji”.

Dy muaj më parë, bashkia e Tiranës ndërmori një aksion për prishjen e 25 pikave të karburanteve, të cilat sipas saj ishin pa leje, por një pjesë e mirë e pronarëve dorëzuan pranë policisë bashkiake dokumentet që vërtetonin që biznesi i tyre ishte i ligjshëm./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka