“Zoti e bekoftë NATO-n, Zoti e bekoftë vendin tim”. Me këto fjalë, kryeministri i vendit, zoti Sali Berisha ka përshëndetur hyrjen e Shqipërisë në NATO, siç e quajti ai, aleancën më të fuqishme ushtarake të të gjitha kohërave.

Sali Berisha: “Nga tani liria e Shqipërisë, e ardhmja e Shqipërisë do të ketë sigurinë, do të ketë mbrojtjen, do të ketë sigurinë e Aleancës më të madhe ushtarake të të gjitha kohërave. Zoti e bekoftë NATO-n, Zoti e bekoftë vendin tim”.

Si e sheh rinia shqiptare këtë ditë historike, që i jep Shqipërisë vendin e anëtarit të denjë, me të drejta të plota në Aleancën Veri-Atlantike?

Të rinjtë shqiptarë e cilësojnë si një hap të madh drejt Perëndimit, e si një mundësi për të ecur të sigurt drejt zhvillimit.

“Më në fund! Ishte koha që vendi të hynte në NATO”.

“Shqipëria po fillon të hyjë në fazat e zhvillimit, integrimit, të hapave me të cilën po ecën bota e qytetëruar perëndimore”.

E gjithë Tirana është mbushur me flamujt shqiptarë e të NATO-s për t’i dhënë mirëseardhjen ditës, në të cilën Shqipëria çel një kapitull të ri në historinë e saj.

E ndryshe paraqitet situata në Kroaci. Vendi duket si në një ditë normale. Asnjë gjë e jashtëzakonshme, asnjë flamur, thjesht qetësi.

Shqipëria dhe Kroacia janë dy anëtaret e reja të cilat sot do të ulen në një tryezë bisedimesh me përfaqësuesit të tjerë të Aleancës Veri-Atlantike./tvklan.al