Për kryeministrin Berisha shoqëria civile dhe mediat mund të jenë monitorueset më të mira të luftës që qeveria shqiptare bën ndaj fenomenit të korrupsionit.

Por ndërsa kjo e para është e besueshme dhe mund ta luaj shume mirë këtë rol falë dhe një fondi që qeveria shqiptare do të vendosë në dispozicion të organizatave jofitimprurës pikërisht për këtë funksion, për rolin që mund të luajnë mediat në këtë luftë, kryeministri është shprehur mosbesues.

Sali Berisha: “Në qoftë se ka një fushë ku qeveria duhet të financojë kundër vetes vet është kjo fushë. Ne kemi vendosur një raport të veçantë me median, por problemi është shumë serioz në media, siç faktojnë të gjitha raportet. Mediat janë në kontrolle optuese, interesa biznesi dhe interesa politike të vetë mediave. Ndaj dhe ne duhet të orientohemi drejt shoqërisë civile. Ne duhet të bëjmë çdo përpjekje që ajo të ketë të gjitha kapacitetet për monitorim.”

Duke folur në mbledhjen e qeverisë për rëndësinë që ka ratifikimi i grandit që SHBA, i ka dhënë qeverisë shqiptare në kuadër të luftës kundër korrupsionit në fushën e shërbimeve publike, Berisha ka theksuar edhe njëherë angazhimin maksimal të kësaj mazhorance për të fituar luftë me këtë fenomen.

Sali Berisha: “Ky projekt ka një rëndësi të jashtëzakonshme për luftën kundër korrupsionit. Kjo është një luftë e vazhdueshme, e pa ndërprerë. Ne do mund ta fitojmë këtë luftë, betejën e kemi fituar, por lufta vazhdon.”

Rreth një muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes se bashkëpunimit të qeverisë me komunitet fetare në vend, kryeministri ka urdhëruar hartimin sa më të shpejtë të ligjit për financimin nga shteti të bashkësive fetare, një detyrim ky që rrjedh nga kushtetuta./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka