Nga Shkodra ku ka shoqëruar kryeministrin Sali Berisha në turin e tij “Shqipëria po ndryshon”, kryeparlamentarja Jozefina Topalli  ka sulmuar ashpër opozitën, duke e akuzuar atë për dezinformim të pa principtë dhe të pa moralshëm të shqiptarëve në lidhje me vdekjen e biznesmenit Kosta Trebicka.

Në këtë kontekst zonja Topalli tha, se opozita e sotme nuk mund të jetë alternativë qeverisëse, pasi ajo po mbjell katastrofizëm në çdo qëndrim të sajin.

Jozefina Topalli: “Unë nuk e kuptoj se si ka mundësi që suksese kaq të mëdha të Shqipërisë, të vlerësuara nga të gjitha parlamentet e botës me votimin  e tyre pro antëarësimit të NATO-s, opozita sheh si disfatën e saj. Është për të ardhur keq që çdo ditë dëgjojmë nga goja e opozitës të mbillet, të injektohet katastrofizëm, të mbillet, të injektohet mashtrim, dezinformim, por po të shikoni sa herë hap gojën kryetari i opozitës ai ngjall vetëm katastrofizëm. Keni dëgjuar ju ndonjëherë në ndonjë vend tjetër demokratik të botës, që kur ndodh një vdekje aksidentale të quhet vrasje me paramendim. Ndodh ndonjëherë që një kryetar i një partie të flasi për zbardhjen e një çështje të tillë si çështje e nderit të Shqipërisë dhe pasi që e quan atë vrasje me paramendim dhe kur çështja zbardhet ai hesht, ai mbyll gojën. A keni menduar ndonjëherë  se ndoshta me këto akuza, katastrofizma, makabritete që nxjerr nga goja sa herë e hap gojën, ai mund të shqetësojë shqiptarët, a duhet ti kërkonte ndjesë shqiptarëve tani që çështja është e zbardhur?  Unë mendoj në fakt se kërkimi ndjesë është vetëm minimalja, pasi ka manipuluar me vdekjen duhet të jepte dorëheqjen, kur ajo rezulton se është e kundërta e asaj që ai ka nxjerrë nga goja çdo ditë, çdo orë, çdo minutë. Në fakt politikë më të vjetër se kjo unë nuk njoh. Politikë më të vjetruar se kjo unë nuk njoh. Kjo e ka emër stalinizëm. Kjo e ka emrin pulputizëm, kjo ka emër kastrizëm dhe kjo në Shqipëri e ka emrin Edi Rama.”

Gjithashtu kryeparlamentarja tha, se politika e opozitës është e vjetëruar e cila nuk ndihmon as në bashkëpunimin për reformat dhe as rrugën e nisur në anëtarësimin në NATO dhe BE./tvklan.al