Kodi i ri zgjedhor është votuar me 112 vota të mazhorancës dhe opozitës  në seancën plenare të së martës pas më shumë se 5 orë debatesh. Dy bashkëkryetarët e reformës zgjedhore Rusmajli e Xhafa e cilësuan atë në fillim të seancës si projekti që garantohen standardet dhe votën e lirë të shqiptarëve.

Jozefina Topalli: “112 pro, 1 kundër, 4 abstenime, Kuvendi miratoi kodin zgjedhor të republikës së Shqipërisë. Falënderojmë komisionin e reformës zgjedhore që ka punuar për muaj të tërë, të gjithë deputetët për të bërë të mundur këtë kod zgjedhor.”

Por edhe pse mori votat e shumicës, kodi zgjedhor u kontestua ashpër nga deputetet e partive të vogla dhe dhjetë deputetët grevistë, të cilët në fillimin e seancës plenare kërkuan që t’u jepej më shumë kohë në bazë të rregullores së Kuvendit për t’u njohur me draftin e më pas të kishin mundësi për të bërë amendamentet shtesë.

Vete kreu i LSI-së Ilir Meta ndërsa deklaroi daljen e dhjetë deputetëve nga greva, e cilësoi kodin e ri zgjedhor si tentativë të PD-PS-së, për të manipuluar zgjedhjet e ardhshme parlamentare./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro