Kryeministri Berisha i ka bërë thirrje kreut të opozitës të bëhet pjesë e procesit të lustracionit, që në bazë të ligjit për pastërtinë e figurave të paraqes emrat për anëtarët e autoritetit për verifikimin e figurave.

Sali Berisha: “I drejtoj atij thirrje të hapur dhe të sinqertë, përpara se të vendos dhe të shtroj përpara vetes në mënyrë më qytetare dy pyetje, a përbëjnë krimet e regjimit komunist totalitar të Enver Hoxhës, krim kundër njerëzimit apo jo dhe së dyti a duhen devijuar krimet kundër njerëzimit? I bëj thirrje zotit Rama sërish të ndalet mbi këtë moment. Ligji i lustracionit është absolutisht përgjigja më e butë që ne kërkojmë t’i japim ndarjes nga ajo e shkuar. Kjo përbën një çështje madhore politike, nuk e fshehim ne”.

Në mbledhjen e parë për këtë vit të grupit parlamentar demokrat, kryeministri Berisha ka kërkuar gjithashtu nga opozita bashkëpunim maksimal për procesin zgjedhor, duke e filluar këtë bashkëpunim me riformatimin e KQZ-së.

Sali Berisha: “Të ulemi me opozitën, për të mujt me ndërtue një komision me krebilitetin më të lartë. Ftoj opozitën të ushtrojë të gjithë kontrollin që dëshiron mbi përgatitjet për procesin zgjedhor. Ne do ta konsideronim kontrollin e saj kontribut të madh. Duke ardh këtu më informunë se kryetari i tyre ka kërkuar vendim qeverie për problemin e pasaportave eksiztuese, unë do ta autorizoj Ministrinë e Brendshme menjëherë të vendosë kontaktet me ta. Çfarë do lloj propozimi që opozita e gjykon dhe që i shërben transparencës dhe kompletimit më të mirë të procesit, ne jemi të hapur”.

Në kalendarin 3 javor të punimeve të këtij sesioni të ri parlamentar që nis ditën e hënë, është parashikuar dhe rikompozimi i KQZ-së, por deri tani asnjë nga partitë të cilat do të kenë përfaqësuesit e tyre në KQZ nuk kanë bërë publik ndonjë kandidaturë./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka

Operator: Metlin Kepi

Montazh: Vilma Halilaj