Nga Brukseli kryeministri Sali Berisha deklaron për televizionin Klan, se kodi i ri zgjedhor i miratuar vetëm një ditë më parë nga komisioni i posaçëm për reformën zgjedhore, garanton votën e lirë të shqiptarëve. Kryeministri thotë, se nuk ka kompromis mes dy partive të mëdha për të dëmtuar partitë e vogla, ndërsa përsërit se mazhoranca është e kushtëzuar të negociojë vetëm me partinë më të madhe opozitare për çështjet e kodit zgjedhor, por dhe për reforma të tjera të mëdha për vendin.

Sali Berisha: “Kanë pasur çdo rast për të qenë në komision dhe kanë qenë në komision, prapë në parlament do shkojë ligji, por unë e kam theksuar dhe e theksoj, unë jam qeveri me të gjithë kodin e rregullave, sepse nuk jam unë që zgjedh opozitën, opozitën e zgjedh populli siç zgjedh qeverinë, përcakton dhe opozitën. Populli shqiptar ka përcaktuar opozitë kryesore Partinë Socialiste dhe jashtë çdo lloj mundësie që unë të veproj nëpërmjet faktorëve të tjerë opozitarë në dëm të partisë kryesore opozitare.”

Për sa i përket grevës së urisë së 10 deputetëve të partive të vogla, kryeministri nuk e sheh atë si formën e duhur për të kontestuar pakënaqësitë që ata kanë ndaj kodit zgjedhor.

Sali Berisha: “Duke shprehur respektin për vendimi e gjithsecilit, më duhet të them se anëtarët e komisioneve zgjedhore, në qoftë se vendoset në këtë mënyrë që nëpërmjet grevës së urisë, mendoj unë, nuk është e mundur që ato të caktohen.”/tvklan.al