Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Pas protestave dhe lëvizjeve qytetare, kryeministri Nano ka preferuar ta kalojë mëngjesin e punës me përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile, disa prej tyre kanë qenë mjaft të ashpër, në takimin me kryeministrin, për mënyrën e qeverisjes së tij,

Kreshnik Spahiu:- “Morëm shkas për t’i tërhequr vëmendjen që ka në tavolinën e tij, apelin e mijëra qytetarëve shqiptarë, kundër vendimeve arbitrare, për rritjen e çmimit të energjisë dhe KESH-it, së dyti, i kujtuam kryeministrit, shqiptarë, se në kohën kur ndodhi masakra e Raçakut, presidenti Klinton derdhi lot për shqiptarët, që humbën jetën e tyre, ndërkohë, lidershipi shqiptar, qëndron shumë larg ndjenjave të popullit shqiptar dhe së treti, tërhoqëm vëmendjen që politika shqiptare dhe lidershipi, nuk mund ta konsiderojë shoqërinë civile, si rrypa transmisioni, si Bashkimet Profesionale në kohën e PPSH”.

Drejtuesi i lëvizjes Mjaft ka preferuar të shkojë në takim me një bluzë ku ishte shkruar slogani i protestave të undit i lëvizjes Mjaft.

Erion Veliaj:- “U denoncua gjithashtu republika e charterve dhe e gomoneve dhe u kërkua që jo vetëm të gjenden fajtorët e vërtetë të përgjegjshëm, por që në mënyrë publike të kërkohet një falje dhe një ndjesë për papërgjegjshmërinë, pjesëmarrjen e shtetit në këtë aktivitet dhe arrogancën në mospranimin e faljes”.

Sipas zëdhënësit të qeverisë për këtë çështje, kryeministri Fatos Nano, është shprehur se falja nuk mund të jetë publike, por institucionale.

Aldrin Dalipi:- “Veprimi konkret dhe institucional, për të kuruar plagët e varfërisë, për të ndëshkuar krimin, trafiqet dhe trafikantët, të nxisë hartimin dhe zbatimin e politikave zhvilluese dhe integruese dhe jo të bëhet pjesë e emocioneve populiste të ditës, për të marrë kapital publik, apo më keq akoma, kapital politik”./tvklan.al

Gazetare – Arta Tozaj