Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Kryeministri Grek Kostas Simitis do të zhvilloj nesër vizitën e tij të dytë në Shqipëri. Në këtë mënyrë ai bëhet i pari kryeministër që viziton Tiranën zyrtare pas përfundimit të luftës në Kosovë. Pas mbrritjes në orën 9 në Aeroportin e Rinasit, ai do të takohet kokë më kokë me kryeministrin Majko ku më pas dotë zhvillohen bisedimet mes dy delegacioneve qeveritare.

Pas nënshkrimit të protokolleve, axhenda e kryeministrit vazhdon me takimin me Presidentin Mejdani. Në mesditë përfundojnë takimet qeveritare të delegacionit grek i cili do të niset drejt Krujës për të vizituar muzeun e Skënderbeut. Pas orës 15 Simitis do të japë një konferencë për shtyp në Pallatin e Brigadave.

Kjo do të pasohet nga takimet me përfaqëuesit e partive politike, organizatës Omonia dhe kryepeshkopin Anastas. Delegacioni grek i kryesuar nga Simitis, para largimit nga Shqipëria do të vizitoj kompaninë e ushtarëve grek në Yzberisht të Tiranës./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego