Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Kryeministri Fatos Nano është përgjigjur në Kuvend, mbi transparencën e deklarimit të pasurisë së tij, kërkuar në një mocion për debat nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike. Në tryezat e deputetëve ishte shpërndarë raporti i Inspektores së Lartë të Kontrollit të Pasurisë Laska mbi pasurinë e çiftit Nano, gjë që u kontestua që në fillim të seancës nga demokratët, me arsyetimin, se duhej paraqitur më parë.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri mohoi akuzat mbi deklarim fals të apartamentit të tij, apo automjetin e dhuruar. Po kështu, sipas kontrollit të kryer nga institucioni përkatës, nuk vërtetohet asnjë thashethemnajë siç u shpreh kryeministri dhe mbi bashkëshorten e tij Xhoana.

Fatos Nano: “Xhoi Copter”, apo “Xhoi Travel”, nuk kanë në pronësi asnjë helikopter, por vetëm një tillë në përdorim me qira. Më rezulton, se Fatos Nano, kryetar partie prej 13 vjetësh, disa herë kryeministër, deputet në të gjitha legjislaturat, ka një shtëpi si çdo qytetar dhe një makinë nga 245 mijë të tilla që janë regjistruar në Republikën e Shqipërisë. Do keni rastin të mësoni, për shkak të verifikimit të deklarimeve, se disa deputetë dhe ish-funksionarë të lartë të regjimit të zotit Berisha, apo të shtetit, janë pasuruar tmerrësisht shpejt dhe prandaj kanë burime shumë të paqarta financimi. Pasuria ime më e madhe dhe më e çmuar dhe më e hipotekuar në sytë e të gjithëve është Sali Berisha”.

Shefi i qeverisë vërejti se 4 miliardë dollarë ishte shuma totale e pasurisë së paligjshme që lideri i opozitës i kishte faturuar kryeministrit përmes gazetës partiake. Më pas vijoi me kundër-akuza ndaj firmëtarëve të mocionit.

Fatos Nano: “Sali Berisha duhet të përgjigjet për fatet e 1 miliard dollarëve ndihma dhe kredi që morina vendet partnere, kur regjimi i tij qeveriste Shqipërinë, sepse ne gjetëm trashëgim vetëm 5 km rrugë. Sali Berisha duhet të përgjigjet për kontrabandën e naftës dhe të cigareve në favor të regjimit të Millosheviçit, duke thyer embargon e NATO-s dhe aleatëve strategjikë të Shqipërisë, në dobi të kriminelëve të kërkuar nga drejtësia ndërkombëtare madje. Ai duhet të tregojë, se sa para të pista dhe të përgjakura shkuan në xhepat e tij dhe sa në xhepat e klanit të tij kriminal që lëviz sot në treg. Sali Berisha duhet të tregojë sa para ka marrë nga bosët e piramidave që nuk i arrestoi dhe nuk u bllokoi pasuritë për një vlerë prej 1.2 miliardë dollarë që u kishin grabitur qytetarëve shqiptarë. Ndërkaq, Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive do t’ju japë përgjigje disa pyetjeve. A ka lidhje Sali Berisha me një autoveturë Mercedes-Benz të blinduar, që ka qenë pronë e Arben Grorit, të dënuar me burg të përjetshëm për vrasje dhe Elvis Gjetës të dënuar me 7 vjet burg për drogë në Itali. A është e ligjshme dhe e moralshme që Pjetër Arbnori ka hipotekuar në emër të të birit 13-vjeçar, tre apartamente në plazhin e Kavajës? A është korrekte në deklarimin e saj zonja Topalli? Kush është statusi i saj i pronësisë mbi Dhomën e Tregtisë Shkodër, ndërtuar nga shteti dhe privatizuar prej saj, në kohën kur PD ishte në pushtet. Ish-kinemaja verore, shtypshkronja “Migjeni”, për ta ndihmuar zonjën Topalli Çoba dhe Inspektoratin e Deklarimit të Pasurive, le të kontrollohen regjistrat e pasurive në Shkodër për truall 1007 m2 përfituar me vendim gjykate, kërkojë të verifikohet nëse apartamenti i zonjës Topalli i deklaruar në formular është legal, apo ndërtim pa leje, sepse nuk figuron i regjistruar në hipotekë. Zoti Besnik Mustafaj rezulton pronar i 984 m2 apartamente në 4 banesa dhe i 6 mijë m2 truall nga të cilat vetëm 2 mijë m2 janë kthim prone në fshatrat e Tiranës, po kujtoj se është nga Tropoja”.

Jozefina Topalli: “Nuk vijë nga fshatrat e humbura të Gjirokastrës zoti Nano. Kam shtypshkronjë të privatizum në 94, në trojet e familjes së babës tem. Shikoni të gjithë dokumentet e paraçlirimit dhe këto pasuri nuk janë ba as një vit, as dy vit, as në 13 vite, por janë ba brez pas brezi me mund e me djersë nga familja e babës tem dhe nga familja e burrit tem. Kush ka dëshirë të vijnë e të shofin, të gjithë janë dokumente që janë qysh paraçlirimit që asnjëherë nuk mu kthy”.

Sali Berisha: “Ti ke arrit në mohimin total të vetes. Se si ka mundësi ti, të vendosësh në emër të të tjerëve apartamentin që e paske ble me paratë e burgut dhe cilat janë motivet që të shtyjnë ty, të mos guxosh të vendosësh mbiemrin tënd dhe një apartament? Është vetëm frika dhe tmerri që ke ti nga vjedhja, shpërdorimi dhe korrupsioni i madh, në të cilin je zhytur”./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj