Qëndrës spitalore universitare në Tiranë do ti shtohet dhe një spital i ri. Me fondet e qeverisë Franceze do të ngrihet spiatali i specialiteteve ku do të përfshihen reparte të okulistikës, ORL-ve dhe kirurgjisë maxilofaciale. Për të inaguruar fillimin e punimeve të këtij spitali ka qënë në qëndrën spitalore universitare Nënë Tereza kryeministri Fatos Nano, Ministri i Shëndetësisë Mustafa Xhani dhe ambasadori Francez në Tiranë.

Mustafa Xhani: “Klinika e re e specialiteteve do të jetë në të gjitha aspektet bashkëkohore, infrastrukturë dhe kualifikim, komponentë të parashikuar në projekt”.

Fatos Nano: “Spitali universitar Nënë Tereza me një varg shërbimesh unikale është fytyra e shëndetësisë Shqiptare që po transformon. Është stacioni i fundit ku pacientët Shqiptarë mund të gjejnë shërbim për sëmundjet e tyre, prandaj ne po nxisim këtë transformim shumëdimensional që nga menaxhimi deri tek infrastruktura e re, që sjellin konceptin e praktikës bashkëkohore në shërbim të njerëzve. Pra qëndra spitalore universitare nuk do të vazhdojë të jetë më vëndi ku mund të vegjetojë krahas menaxhimit dhe teknikës moderne, mediokriteti tradicional”.

Fondi që qeveria Frnceze i ka dhuruar qeverisë Shqiptare për ndërtimin e spitalit të specialiteteve llogaritet 4.5 milionë euro. Godina do të jetë dy katëshe dhe parashikohet të përfundojë pas 1 viti e gjysëm. Projekti për zhvillimin e këtij spitali është prezantuar në vitin 99 nga Ministri i Shëndetësisë Franceze Bernard Kouchner, por vetëm sot u bë e mundur që të nisin punimet pas shumë vështirësive burokratike./tvklan.al