Shqipëria është vizituar nga 4.5 milionë turistë të huaj në 6 muajt e parë të këtij viti. Shifrat bëhen të ditura nga Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale.

Në krahasim me vitin 2023, që mban rekordin për numrin e turistëve me 10 milionë të tillë në vit, në këto 6 muaj të 2024-s, ka një rritje me 34%.

“4.5 milionë vizitorë të huaj erdhën në Shqipëri në gjashtë muajt e parë të këtij viti, ose +34% krahasuar me vitin e kaluar. Ndërkohë kemi hyrë në pikun e flukseve turistike ku së bashku me operatorët privatë që çdo ditë prezantojnë ofertën shqiptare por edhe me përgjegjësinë e jashtëzakonshme të ofrimit të cilësisë së shërbimit, si edhe me bashkitë e me gjithë institucionet publike jemi në koordinim për mbarëvajtjen e sezonit veror”, shkruan Kryeministri Edi Rama.

Qeveria ka parashikuar që viti 2024 do të ketë numër më të lartë turistësh se viti 2023.

/tvklan.al