Kryeministri Sali Berisha ka përcjellë mirënjohjen gjithë shqiptare për atë që e cilësoi organizimi i përsosur i samitit të aleancës më të madhe ushtarake në botë.

Në fjalën e tij përpara liderëve botërorë Berisha nënvizoi anëtarësimin e Shqipërisë si moment po aq historik, sa edhe pavarësimi i vendit.

Këtu kryetari i qeverisë përfitoi nga rasti të urojë ditëlindjen e 60-të të Aleancës, djepit ndërkombëtar të lirisë.

Sali Berisha: “NATO vjen në këtë 60-vjetor më e fuqishme dhe më madhështore se kurrë më parë. Pas rënies së perdes së hekurt, misioni i saj i mbrojtjes së lirisë, falë udhëheqjes së fortë të SHBA, nuk do të njihte lodhje, por zgjerim dhe do të fitonte dimensione të reja të panjohura më parë”.

Kryetari i qeverisë shqiptare e cilësoi një përpjekje të jashtëzakonshme atë të Shqipërisë për t’u bërë anëtare e NATO-s.

Sali Berisha: “Për mua kjo është një ditë krenarie e veçantë, por para së gjithash dita e mirënjohjes më të thellë dhe të pakufishme ndaj jush, kombeve tuaja, forcave tuaja të armatosura e taksapaguesve të vendeve tuaja që me ndihmën e tyre të gjithanshme, politike, ekonomike, financiare e ushtarake mbështetën reformat e thella e të suksesshme në Shqipëri, që bënë të mundur këtë ditë. Asnjë komb nuk ka njohur në historinë e tij një solidaritet kaq të madh”.

Kryeministri falënderoi në mënyrë të veçantë qeverinë amerikane, sekretarin e përgjithshëm Scheffer dhe vendet aleate duke e përshëndetur vendimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, për të përqendruar përpjekjet për paqen, stabilitetin dhe luftën kundër terrorizmit në Afganistan. Kryeministri njoftoi shtimin e trupave shqiptarë në këtë rajon.

Sali Berisha: “Kam kënaqësinë t’ju informoj se qeveria ime do të shtojë edhe një kompani më tepër duke e rritur në 350 numrin e forcave shqiptare të pranishëm në këtë vend. Do të kontribuojmë me një fond për ndërtimin e dy shkollave të mesme dhe gjashtë shkollave të ciklit të parë, si edhe me një ekip prej pesëmbëdhjetë mjekësh dhe infermierësh”.

Kryetari i qeverisë e përfundoi fjalimin e tij në samit duke i shprehur mirënjohje institucioneve të vendit, administratës, forcave të armatosura në veçanti për kontributin e tyre në reformat e suksesshme dhe të rëndësishme që mundësuan anëtarësimin e Shqipërisë në NATO./tvklan.al