Në mbledhjen e radhës të kabinetit qeveritar kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi i ka kushtuar një vëmendje të gjerë çështjes së fëmijëve dhe shfrytëzimit të tyre.

Ai ka shqyrtuar projekt-propozimin për parandalimin e punës së rrezikshme të fëmijëve, por edhe për bujqësinë dhe zhvillimin rural. Veç problemeve të brendshme të Kosovës Thaçi komentoi edhe mbi nismën e Beogradit kundër pavarësisë.

Hashim Thaçi: “Realisht kemi të bëjmë me një iniciativë të Serbisë, por askush nuk duhet të befasohet më këtë iniciativë se ne nuk duhet të presim iniciativa të mira në këtë kohë nga Serbia për Kosovën. Përkundrazi prandaj gjithë bota e di se fytyra e Serbisë në raport me Kosovën është gjenocidi i Serbisë që ka kryer në Kosovë. Do të kemi ende ballafaqime dhe vështirë në procesin e njohjes, por nuk janë pengesa e vështirësi të pa tej kalueshme. Kosova do të jetë pjesë e BE-së dhe NATO-s dhe ne do t vazhdojmë që të ndërtojmë raporte të mira me të gjitha vendet fqinje. Pavarësia e Kosovës ka sjell paqe, stabilitet më tepër dhe bashkëpunim rajonal.”

Deklarata e Thaçit vjen ndërsa në New York diplomatët serbë presin të fusin në rend dite të diskutimit në komitetin e përgjithshëm të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara. Kërkesën që Beogradi do të paraqesë para gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë në Hagë për vlerësimin e ligjshmërisë e shpalljes së pavarësisë.

Ky konsiderohet një test i parë i kësaj iniciative për të cilën nuk dihet akoma se si do të votojnë 100 vendet anëtare të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Përsa i përket çështjes së sigurisë në Kosovë, kryeministri Thaçi u takua edhe me komandantin e ri të KFOR-it Giuseppe Emilio Gay. Të cili i shprehu bindjen se Prishtina do ta shtrijë autoritetin e saj në tërë territorin e vendit./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle