Lajme Arkiva – TV Klan 2003

“Misioni i Fundit, kujtimet e një diplomati”, kështu titullohet libri i autorit Arqile Semini, promovimi i të cilit u realizua në ambientet e Galerisë së Arteve. Libri përmban brenda tij, kujtimet e autorit gjatë periudhës së vitit 1985-1991, kur ai ishte diplomat i Shqipërisë në Francë. Ndryshimi i sistemit në vendin tonë, nga komunist në demokraci dhe ndikimi politik që pati ky ndryshim, në marrëdhëniet e atëhershme mes dy vendeve tona, janë pasqyruar në këtë libër të autorit Arqile Semini, i cili sot ka festuar edhe 70 vjetorin e lindjes së tij.

Një tjetër libër me karakter studimor është promovuar nga shtëpia botuese “Toena” dhe shoqata kulturore-atdhetare Labëria. Libri është shkruar nga Ismet Elezi dhe titullohet “E drejta zakonore e Labërisë”. Ai ka si objekt studimi disa nga problemet kryesore të së drejtës së zakoneve të Labërisë, sidomos nga gjysma e dytë e shek.XIX deri në fillim të këtij shekulli.

Ndërsa në ambientet e QNK-së është çelur ekspozita vetjake e piktorit Lulzim Myrtaj. Kjo ekspozitë përmbante mbi 30 punime të autorit, të realizuara kohët e fundit, kryesisht në teknikën e vajit mbi pëlhurë. Kjo është ekspozita e tretë personale e këtij piktori./tvklan.al

Gazetare – Fjodora Fjora