Policia zbardh vrasjen e Endri Mustafës në Shkodër

Ibrahim Lici dyshohet se është personi i cili ekzekutoi me armë zjarri 32-vjeçarin Endri Mustafa, trupi i pajetë i të cilit u gjet mëngjesin e së hënës në zonën e Livadheve në Shkodër.

28-vjeçari jo vetëm që nuk është emër i panjohur për autoritetet policore, por ai rezulton në kërkim për vrasjen e dyfishtë të  vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali. Këta të dy u vranë në një atentat të mirëorganizuar ku morën pjesë 4 persona, në Mars të vitit 2019. Në atë kohë, policia njoftoi arrestimin e dy personave dhe shpalljen në kërkim të dy të tjerëve. Autor kryesor i dyshuar për vrasjen ishte pikërisht Ibrahim Lici.

Vrasja e vëllezërve Bilali dyshohet se erdhi për shkak të konflikteve të vjetra mes fiseve Lici dhe Bajri në këtë qytet. Njëri nga viktimat, Brahim Bilali, një ish-kampion i hipizmit ishte kryetar i Shoqatës 2 Prilli. Ndërsa Astrit Bilali ishte babai i Astmer Bilali, i arrestuar si pjesë e grupit “Bajri” në Shkodër.

Astrit Bilali ishte një biznesmen i njohur në Shkodër pasi zotëronte një resort hipizmi në zonën e Livadheve. Pikërisht në këtë resort, në 1 Shtator 2018 u vra në një atentat Arjan Ferracaku, i cili ndodhej në shoqërinë e Astmer Bilalit, që dyshohet se ishte shënjestra e atentatit.

Megjithatë, emri i Ibrahim Licit u bë i njohur më herët sesa viti 2019.

Në 2017-n, ai u arrestua së bashku me 7 persona të tjerë, për akuzën e gjobëvënies ndaj tregtarëve të Zdrales dhe rrugës së Kirasit në Shkodër. Për më shumë se 9 muaj ky grup dyshohet se kishte marrë nga tregtarët çdo muaj nga 1 mijë deri 3 mijë lekë të reja.

Por rreth 3 muaj pas arrestimit, Gjykata për Krimet e Rënda e la Licin të lirë.

Ibrahim Lici është djali i Mustafa Licit, ish-anëtar i Këshillit Bashkiak të Shkodrës. Në Gusht të vitit 2018, Mustafa Licit i vranë vëllain, Fatbardh Licin, ngjarje kjo e ndodhur në qendër të Shkodrës.

Këtë të martë, Policia e Shkodrës tha se e kishte shpallur në kërkim 28-vjeçarin, tashmë për vrasjen e Endri Mustafës. Për të njëjtën ngjarje u arrestuan edhe 2 persona të tjerë, megjithatë autori i dyshuar i vrasjes është pikërisht Ibrahim Lici.

Endri Mustafa ishte një emër i njohur për blutë e Shkodrës. Ai ishte person me precedentë penalë dhe ishte i përfshirë edhe në një skemë fajdesh.

Zbardhet vrasja e Endri Mustafës, shpallet në kërkim Ibrahim Lici

Shkodër | Në vijim të veprime të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, i përbërë nga specialistët të Hetimit të DVP Shkodër dhe të Drejtorisë Kundër Krimeve ndaj Personit dhe Pronës në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, në bazë të provave të grumbulluara u bë shpallja në kërkim e Ibrahim Lici, 28 vjeç banues në lagjen Guerrile, Shkodër, i dyshuar si autor i vrasjes së Endri Mustafa.

Gjithashtu, në lidhje me këtë ngjarje është arrestuar shtetasi i mitur Ergys M., 15 vjeç i cili dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin e lartpërmendur kanë vrarë me armë zjarri Endri Mustafa.

Po gjatë veprimeve hetimore dhe si rezultat i kontrolleve të ushtruara për kapjen e autorit u arrestua në flagrancë edhe Edison Arazi, 26 vjeç banues ne lagjen “Salo Halili”, Shkodër, i cili dyshohet se ka dijeni për ngjarjen. Gjatë kontrollit në banesën e tij është gjetur një sasi lënde narkotike cannabis sativa.

Materialet iu referuan Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje” në ngarkim të Ibrahim Licit, në ngarkim të Ergys M. për veprën penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim, si dhe në ngarkim të Edison Arazi për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”./tvklan.al