Kanë filluar sot punimet këtu në Teatrin e Operas dhe Baletit Kuvendi i 6-të i Partisë Demokratike. Pas tërheqjes së kandidaturës së Genc Pollos për postin e kryetarit të PD-së, Berisha do konkurojë sot përballë Uran Butkës për postin e lartë të kësaj partie.

Në Partinë Demokratike nuk mund të ketë as platformë as alternativë dhe as linjë tjetër politike përveç asaj të Berishës. Kanë qënë këto fjalët e kandidatit alternativ të Berishës Uran Butka zgjedhur mbrëmë në mënyrë urgjente në mbledhjen e kryesisë pas tërheqjes së Genc Pollos. Butka ka shprehur hapur mbështetjen për konkurentin e tij Berisha duke pranuar edhe sfidën. Madje Butka është shprehur ashpër ndaj të gjithë atyre që kanë dalë kundër platformës së tij. Ndërkohë vetë lideri aktual nuk ka përmendur fare në raportin e kuvendit tërheqjen e Pollos, dorëheqjen e Xhaferrit dhe as përjashtimin e bujshëm të Vejsiut.

Ndërkohë përveç Pollos dhe Shehut pjesa tjetër e kundërshtarëve të Berishës nuk ka marrë pjesë në Kuvend duke përfshirë dhe Kryetarin e Bashkisë Albert Brojka. Berisha ka parashtruar programin e ardhshëm të Partisë Demokratike e cila sipas tij shumë shpejt do të marrë pushtetin. Berisha ka hedhur idenë e krijimit të një konfederate të madhe të kombit bazuar në krijimin e Shqipërisë së Madhe. Duke u ndalur tek çeshtja e Kosovës ai ka shprehur dyshime ndaj UÇK-së.

Ai gjithashtu ka analizuar situatën në vend duke u ndalur tek Rendi zhvillimi ekonomik, kthimi i pronave dhe të tjerë. Ndërkohë ai ka bërë thirrje për mosnjohjen e Kushtetutës së re. Më pas kanë përshëndetur anëtarë të delegacioneve të huaja pjesëmarrës në Kuvend. Pasdite kuvendi i 6-të i Partisë Demokratike do të vazhdojë diskutimet mes delegatëve./tvklan.al

Gazetare: Ornela Bego