Teatri i Operas dhe Baletit, i hapi dyert që herët në mëngjes për të pritur në ceremoninë mortore shtetërore këdo që donte ta përcillte Ismail Kadarene në udhëtimin e tij të  fundit.

Nën leximin e disa prej poezive të gjeniut të letrave, me librat dhe çmimet e tij rreth e rrotull, u mbështoll ceremonia, që bashkoi të gjithë personalitet nën një çati, duke të kujtuar librin e tij “Ra ky mort e u pamë”.

Në skenën kur prehej arkomorti Kryeministri Edi Rama, ishte i vetëmi që foli, kjo edhe sipas dëshirës së zonjës së Kadaresë, Elena Kadare. Rastësisht, në skenë që sot ishte e Kadaresë, nuk munguan as simbolet të Shën Terezës, të cilat Kryeministri që u kujdes për ceremoninë, refuzoi t’i zhvendoste.

“Nën hijen e shenjtores së tij të dashur, Ismaili symbyllur do të ndjehej i marrë nën mbrojtje nga të tërë ata shumë që s’e donin, po edhe nga ata jo pak që e donin po s’do t’i donte assesi rrotull, përgjatë kalimit të tij nga kjo botë në tjetrën”, tha Kryeministri.

Banesa e tij e përkohshme do të jetë Tufina, për të reskpetuar dëshirën e familjes, ndërsa Kryeministri zbuloi se për shkrimtarin e madh do të ketë më vonë një vend të posaçëm.

“Jo më në rolin e pakërkuar të personazhit të novelës së sapo jetuar, po thjesht në funksionin e zëdhënësit këtu edhe të qeverisë shqiptare e jo thjesht të dikujt që mendon kështu, Ismail Kadareja e meriton të prehet në një banesë të fundit që të jetë vetëm e tija”, theksoi Rama.

Në ceremoninë mortore të Ismail Kadaresë, nuk munguan as peronalitete të tjerë të politikës.

Nga Kosova erdhën për të nderuar Presidentja Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca. Ndërsa nga Maqedonia e Veriut kryetari i BDI-s Ali Ahmeti.

Ceremonia zgjati deri në mesditë ku më pas kortezhi u nis drejt Tufinës, ndërsa Kadare u përcoll me duratrokitje të fundit për atë çka la pas.

Në një ceremoni private siç e kërkoi familja, folën dhe të bijat për kujtimin dhe dhimbjen që i la kjo humbje.

Kadare ndërroi jetë në moshën 88-vjeçare, ndërsa me veprat e tij bëri të njohur në arenën ndërkombëtare gjuhën dhe letërsinë shqipe.

Tv Klan